Paralizohet Franca pak para nisjes së Lojërave Olimpike, sulmohet rrjeti hekurudhor

Rrjeti hekurudhor i shpejtësisë së lartë në Francë u godit nga “akte sabotazhi” duke përfshirë zjarrvëniet e qëllimshme që kanë ndërprerë sistemin e transportit, tha operatori i trenave SNCF të premten, disa orë përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit.

Një burim i afërt me hetimin i tha AFP se sulmet ishin akte të koordinuara të “sabotimit”.

“Ky është një sulm masiv në një shkallë të gjerë për të paralizuar rrjetin TGV,” i tha kompania e trenave agjencisë së lajmeve AFP, duke shtuar se shumë udhëtime do të duhet të anulohen.

“SNCF ishte viktimë e disa akteve keqdashëse gjatë natës,” tha operatori kombëtar i trenit në Francë, duke shtuar se sulmet prekën linjat e saj në Atlantik, në veri dhe në lindje.

“Sulmet me zjarrvënie filluan për të dëmtuar objektet tona,” thuhet në njoftim, duke shtuar se trafiku në linjat e prekura ishte “ndërprerë” dhe situata do të zgjaste dhe gjatë fundjavës teksa po kryhen riparimet e nevojshme.

Trenat po devijoheshin në shina të ndryshme “por ne do të duhet të anulojmë një numër të madh të tyre”, thuhet në deklaratë.

Linja juglindore nuk u prek pasi aktet e sabotazhit u parandaluan.

SNCF u bëri thirrje pasagjerëve që të shtyjnë udhëtimet e tyre dhe të qëndrojnë larg stacioneve të trenit.

Kompania tha se sulmet prekën rreth 800,000 pasagjerë.

Eurostar tha gjithashtu se shërbimet e saj hekurudhore midis Londrës dhe Parisit ishin ndërprerë nga aktet e vandalizmit.

“Për shkak të veprimeve të koordinuara dhe keqdashëse në Francë, që prekin linjën e shpejtësisë së lartë midis Parisit dhe Lille, të gjithë trenat me shpejtësi të lartë që shkojnë dhe vijnë nga Parisi po devijohen përmes linjës klasikekëtë të premte. Kjo e zgjat kohën e udhëtimit me rreth një orë e gjysmë, “tha Eurostar në një deklaratë.

Ministri i Transportit Patrice Vergriete tha në një postim në X se ai “dënon me vendosmëri këto incidente kriminale” dhe shtoi se kompanitë hekurudhore po punojnë për të rivendosur trafikun.

Shefi i policisë së Parisit, Laurent Nunez, duke folur në radio France Info, tha se do të dërgonte përforcime policore në stacionet e trenave të mbipopulluara.