Paqe me veten, paqe me jeten

Nga Evans Drishti

Dëshirojmë paqe me veten, dëshirojmë paqe me jetën.,..

Lexojmë që të kuptojmë se ç’është paqja për të kuptuar vetveten, tjetrin dhe jetën…

Hulumtojmë për të kuptuar të panjohurën rreth paqes, që natyrshëm sjell lumtuinë e shumëkërkuar…

Arsyetojmë në gjetje të shtigjeve që na çojnë në rrezatimet paqësore për veten dhe jetën…

Meditojmë në identifikimin e qasjeve, ku paqja merr nuanca të panumërta në shërbim të atij që e kërkon dhe e përfton…

Bashkëbisedojmë për reflektime të kthjelluara si pika referimi në arritjen e një paqeje që do të na bëjë më njerëzorë…

Vëzhgojmë në përpjekje të arritjes së disa pasqyrimeve, ku paqja gjen terrenin e duhur për të harmonizuar njeriun dhe natyrën…

Dëgjojmë në zënie të tingujve melodiozë që na ofrojnë paqen, aty ku jeta është në harmoni me gjithçka…

Veprojmë për të pranuar ekzistencën e paqes në realitetin e qenies sonë dhe të natyrës që na rrethon…

Besojmë se e shumëkërkuara paqe s’është iluzive as imagjinare, por një vërtetësi që pret mendjen e shëndoshë në trup të shëndoshë…

 

***

 

Paqe sjell njeriu teksa kupton arsyen e ardhjes në këtë jetë dhe obligimet përkatëse…

Paqe sjell nëna duke ushqyer me virtyte njerëzore dhe besim fëminë e saj, si një fidan i rëndësishëm i shoqërisë…

Paqe sjell babai duke bërë të gjitha përpjekjet e duhura për mbarëvajtjen e jetesës familjare…

Paqe sjell fëmija me buzëqeshjet fisnike dhe të sinqerta për të sjellur gëzimin dhe harmonë brenda familjes dhe shoqërisë…

Paqe sjell mësimdhënësi duke shpalosur çdo qelizë të formimit intelektual në ndërtimin e strukturave bazë të një shoqërie të emancipuar dhe bashkëkohore…

Paqe sjell mjeku duke ofruar shpirtin e tij besnik në kurimin e çdo sëmundjeje, pikësëpari me një komunikim njerëzor dhe fisnik, e më pas me intelektin e zgjidhjes që të çon drejt harmonisë fizike dhe shpirtërore…

Paqe sjell gjyqtari duke shqyrtuar çështjet me drejtësinë e duhur për të arritur në vendime që nuk lëndojnë zemra familjare dhe duke përmirësuar plagët e shoqërisë për një atmosferë sa më qetësuese…

Paqe sjell drejtuesi që me aftësitë e tij orientuese ofron një menaxhim sa më efikas në grupin e punës duke bashkuar në emërues të përbashkët mendjen e ndritura dhe duke forcuar frymën bashkëvepruese për nivele gjithnjë në ngritje…

Paqe sjell polici duke lehtësuar mbarëvajtjen e rrugëtimeve të njerëzve për një harmonizim të punëve në përditshmërinë e dëshiruar…

Paqe sjell inxhinieri dhe arkitekti duke ofruar shërbime cilësore dhe bashkëkohore në ndërtimin e një urbanistike modele duke i sjellur një pamje sa më çlodhëse vendit dhe shoqërisë…

Paqe sjell kuzhinieri që me profesionalizmin e tij ofron gatime plot shije dhe efikasitet të pashlyeshme për shumë kohëra…

Paqe sjell studiuesi me hulumtime të kthjelluara dhe plot esencë që shënojnë dhe nxjerrin në pah vërtetësitë e historisë, traditës dhe kulturës së vendit dhe për rrjedhojë të mbarë shoqërisë…

Paqe sjell artisti me interpretimet magjike që ofrojnë rrezatime të përflakura me përcjelljet e imazheve jetësore për ti skalitur ato në momerien njerëzore si vlera epokale…

Paqe sjell teologu me mesazhet domethënëse fetaro-kulturore për mbarëvajtjen e një jetese sa më të moralshme dhe kuptimplote me synimin e mirë për të fituar begatitë dhe mirësitë e kësaj bote dhe të botës së përtejme…

Paqe sjell nxënësi që në hapat e parë të marrjes së dijes duke shpërblyer me dinjitet mundin dhe sakrificën e bërë për emancipimin dhe integrimin e tij në shoqëri…

Paqe sjell studenti që me rezultatet e tij të larta ofron modelin jetik që përbën edhe bërthamën e shoqërisë së zhvilluar duke sjellur lumturi jo vetëm për familjen, por për mbarë shoqërinë…

Paqe sjell çdo individ që investon në përftimin e një zanati që ofron shërbime cilësore për ta zbukuruar akoma më shumë jetën me të papriturat e saj…

 

 

Paqe sjell çdo individ që kontribuon me plot pasion në zbukurimin e jetës së njerëzve nëpërmjet një angazhimi qoftë individual apo shoqëror…

Paqe sjell çdo individ apo grup shoqëror që shtrijnë dorën e mëshirës dhe të bamirësi ndaj çdo njeriu në nevojë për një rimëkëmbje të shoqërisë…

Paqe sjell çdo njeri i kësaj shoqërie, kudo të ndodhet, duke reflektuar fjalën e urtë dhe të mirëpeshuar duke përçuar harmoni dhe urtësi në ambientet përkatëse…

Çdo datë e shënuar sjell në kujtesën njerëzore dhe shoqërore një sekuencë historike për të na ndërgjegjësuar që të kuptojmë se çdo moment dhe çdo ditë është një kohë e re dhe një ditë e re për të forcuar vlerat tona që na bëjnë ata që jemi dhe që duhet të jemi në të vërtetë, të cilat na çojnë drejt paqes, pikësëpari me veten tonë e më pas edhe me vetë jetën…

Është koha të përqafojmë vlerat e larta njerëzore dhe intelektuale që të jetojmë në paqe dhe harmoni, pasi padyshim njeriu është kirjesa më e përsosur që nxjerr në pah dinjitetin e përsosmërisë.