Pak sekonda tërmet

Vetëm pak sekonda tërmet, si një mundësi për të dialoguar me të ardhmen tënde që ende nuk duket në horizont, por që gjasat i ka të jetë një stuhi e përhimtë që do të godasë secilin prej nesh. Një mundësi nga to që rrallë të jepen, për ta riprogramuar softuerin tënd të veprimit, drejt një inxhinierie sociale të thurur me mirësi dhe solidaritet, sakrificë e pendim.

0

Janë vetëm pak sekonda të mjaftueshme që njeriu të ndryshojë botëkuptimin e tij për veten dhe mjedisin ku jeton. Janë vetëm pak sekonda, të cilat trondisin jo vetëm materialen tonë por edhe shpirtëroren. Një tronditje e jashtme por edhe e brendshme. Kësaj radhe i Plotfuqishmi, Zot i mëshirës dhe i faljes, vendosi që ato pak sekonda të përcaktonin gjithçka. Ne mundet t’i zvogëlojmë sekondat e tmerrit në varësi të cilësisë së ditëve dhe muajve tanë. Në fund të fundit, e gjitha kthehet tek ne dhe cilësia e sjelljes tonë. Të gjithë e pranojmë se e kemi mbushur kupën, por ama, pak veprojnë për ta zbrazur atë. Ishin po ashtu pak sekonda ato që bënë edhe diferencën dhe na lanë t’i tregojmë njëri-tjetrit bëmat tona të asaj dite. Sikur njeriu për një çast të vetëm të ulet e të mendojë se si në ato tronditje të papreçedent, u ndje aq i vogël dhe i pavlerë, aq i parëndësishëm dhe i strukur, do ta kuptonte se ai nuk është caku përfundimtar i realitetit, se ajo që ekziston përtej tij është shumë më madhe, shumë më e ndërlikuar dhe shumë më preçize.

Tërmeti është një fenomen të cilin shumica e përjeton si tronditje, më pas mekanizmi i bekuar i harresës aktivizohet duke tentuar ta ktheje njeriun në natyrshmërinë e tij, në natyrshmërinë e stabilitetit dhe rutinës. Në pasdreken e asaj të shtune të 21 Shtatorit, u trondit në mënyrë të pazakontë gjëja më e çmuar që një njeri ka, stabiliteti. U trondit si asnjëherë më parë në Tiranë. Zakonisht tërmetet e forta vijnë në formën e një “breaking news” nga diku larg, mundësisht nga vende të botës së tretë, dhe kështu, përjetimi ynë është aq i ftohtë dhe merr vëmendjen tonë të ikshme në aq pak sekonda sa për të menduar që largësia mes tij dhe nesh, përbën atë jastekun e rehatisë dhe prehjes tonë. Por, kur këmbët, muret, kollonat dhe toka, dridhen brenda gjendjes tendë të stabilitetit  me tronditje të forta, atëherë ato pak sekonda nuk janë më një “breaking news” diku larg teje, jo, tashmë ti  ndodhesh brenda tij, tashmë ti je lajmi vetë.

Janë vetëm pak sekonda ato që të japin një pamje tjetër të qytetit tënd, të lagjes dhe banorëve të saj. Momente  për të tretur diku larg, ftohtësinë, fodullëkun, vanitetin e qytetarëve të tu të përditshëm, drejt një solidariteti të mpiksur nga frika. Papritmas, vendi më i sigurt, më qetësues siç është shtëpia jote, kthehet në destinacionin më të pasigurt, prej të cilit kërkon të ikësh sa më shpejt, të ikësh drejt tokës, drejt origjinës nga vjen dhe stacionit përfundimtar drejt të cilit do të shkosh. Janë pak sekonda ato që aktivizojnë hierarkinë e prioriteteve të jetës, që fillojnë me veten tënde dhe mbijetesën e saj, pastaj me familjen tënde dhe bashkimin e saj, e më vonë me pasurinë tënde dhe sigurinë e saj. Ato pak sekonda, por aq të mjaftueshme për të kuptuar se sa shumë kemi sharruar në drejtimin e kundërt,  na “përkëdhelën” me një shastisje të dobishme, përkujtuese dhe të domosdoshme.

Një distancë e shëndetshme mes teje dhe veprës tëndë merr udhë në ato orë të post tmerrit kur, lëkundjet vijojnë të dritherojnë tokën dhe të bëjnë të vallëzojnë themelet e asaj që ne preferojmë ta quajmë e përditshmja jonë moderne. Një eksod i komanduar nga paniku që nuk ikën gjëkundi por është i dënuar të rrotullohet rreth themeleve ku të gjithë kanë organizuar jetët e tyre. Një ikje më shumë nga vetja se sa nga tërmeti. Një ikje që fatkeqësisht zgjat pak ore dhe pak ditë të numëruara, për t’u rikthyer në rutinën mashtruese, të fodullëkut, vanitetit dhe marrëzisë, tashmë e kthyer në kulturë, e kthyer në sistem.

Vetëm pak sekonda tërmet, si një mundësi për të dialoguar me të ardhmen tënde që ende nuk duket në horizont, por që gjasat i ka të jetë një stuhi e përhimtë që do të godasë secilin prej nesh. Një mundësi nga to që rrallë të jepen, për ta riprogramuar softuerin tënd të veprimit, drejt një inxhinierie sociale të thurur me mirësi dhe solidaritet, sakrificë e pendim. Ishin pak ditë ato, në të cilat banorët e këtij kaosi të organizuar si mos më keq, e që ne e quajmë kryeqytet, ku emri i  Zotit qe më e artikuluari mes frikës dhe shpresës, mes tronditjes dhe kthjellimit. E gjithë perandoria e luftës ndaj të shenjtës ra në pak sekonda, dhe secili drejtohej kah i Plotfuqishmi me shpresë se gjërat do ktheheshin si më parë, dhe që qetësia dhe stabiliteti të mos drithëronin më poshtë këmbëve të tyre.

Pak sekonda për të kuptuar se sa skiç është organizuar jeta individuale dhe kolektive e secilit. Pak sekonda, si për të kujtuar se sa kollaj  orë e ditë, muaj e vite treten në kotësi dhe zbrazëti brënda një rutine vrastare që vdes zemrat dhe boshatis shpirtrat. Pak momente, për të kujtuar se ke të afërm, hera e fundit të cilëve u ke folur, ka qenë diku në një vjeshtë të përhumbur vite më parë. Për të vërejtur se rreth teje paska plot njerëz në nevojë, të cilëve me fodullëk i bëje një “by-pass” teksa ndërroheshit në lagje. Pak ­çaste, për të kuptuar se fëmijët e tu, më familjare kanë portretin në monedhën 10 mijë lekëshe që ua fal përditë, se sa fytyrën tënde të stresuar teksa rrallë i takon. Pak minuta, për të të kujtuar se ke prindër të cilëve vetëm pak fjalë në ditë do t’i gëzonin për shkak të mungesës tënde të gjatë. Pak shprehje të vërteta në morinë e gënjeshtrave që thua, në morinë e premtimeve boshe që jep.

Vetëm pak sekonda tërmet, janë të mjaftueshme që një shoqëri e përgjegjshme të lexojë vetveten dhe të ikë e tmerruar nga narrative e saj. Do të mjaftonin aq pak, për të bërë aq shumë ndryshime, jashtë fjalëve boshe dhe retorikave fallso, do të mjaftonin për të emigruar jo jashtë, por, për të emigruar brenda vetes drejt një veteje më të mirë.

Lajme të ngjashme

Lini një Koment

Adresa juaj e e-mail-it mbahet e fshehur.