Kryeministri hungraz Viktor Orban, kritikoi nga Tirana procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, Orban tha se ritmi i zgjerimit të Evropës është një ritëm vetëvrasës dhe që do të dëmtojë në planin afatgjatë ekonomik Evropën.
Orban tha se Hungaria mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, jo vetëm për lidhjet historike por dhe për shkak të planit ekonomik dhe politik.
“Është e turpshme sa avash po ecën zgjerimi i Bashkimit Evropian. I hodha një sy agjendës dhe Shqipëria ka duruar 13 vite për hapjen e negociateve. Pas 10 viteve nëse prespektivat janë të sakta, vetëm Gjermania mund të ngelet në 10 vendet më të zhvilluara të botës nga shtetet e BE-së. Nëse zgjerimi ecën me këtë ritëm kaq të ngadaltë mund të them që është një ritëm vetëvrasës. Nuk e di si do t’ia bëjë Evropa në të ardhmen. Për këtë arsye Hungaria mbështet integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha Orban.
Gjithashtu Orban shprehu një vlerësim të veçantë për shtetin shqiptar.
“Do doja t’ju falenderoja, veçanërisht mikun tim Edi Rama dhe ftesën për të ardhur në këtë vend interesant. Në 30-vitet e fundit kam ardhur me shumë dëshirë dhe është hera e 12-të nëse mos gaboj. Gjithmonë kam qenë i mendimit se midis shqiptarëve dhe hungarezëve nuk ka vetëm marrëdhënie diplomatike, por i ka rrënjët në historinë dhe në vuajtejet e përbashkëta që ne kemi kaluar. Ne të dy kemi kaluar 40-vite nën sistemin komunist.
Bota po shkon drejt një standardizimi global, firmat e ndryshme dhe për fat të keq kjo duket dhe në politikë. Jam i kënaqur kur takoj dikë që është original dhe i vërtetë të re dhe sjell diçka të re në politikat tona.
Vizita e sotme është në një periudhë shumë të rëndë, pasi kemi të bëjmë me një rindarje të rëndë ekonomike që po ndikon në Evropën e sotme. Nuk kemi qenë në gjendje të sjellim përpjekje në këtë drejtim. Për sa i përket pjesës golabale, konkurrenti i Evropës është në rënie dhe problem sot është si ta integrojmë Ballkanin Perëndimor në Evropë”, tha Orban.