Orari i ri i lëvizjes i vendos qytetarët e rretheve në radhë të gjata në tregje dhe furra buke

Në fakt edhe tregtarët, por edhe qytetarët pranojnë se dita e sotme ka sjellë më tepër fluks, kryesisht në orët e para të mëngjesit.

Rrugët, tregjet e dyqanet ushqimore pas ndryshimit të ri të orareve të qarkullimit janë mbushur plot me njerëz. Gjithë këto radhë dhe sasitë e ushqimeve nuk janë të justifikuara se izolimi zgjat vetëm një ditë. Të hënën gjithçka do të normalizohet.

Në Korçë shumë qytetarë janë dyndur në dyqanet e bukës. Si të mos mjaftonte kjo, ata janë zënë me njëri tjetrin duke mos respektuar radhën dhe distancën.

Qytetarët kanë luftuar në orët e para të mëngjesit për tu furnizuar me ushqime. Në fakt edhe tregtarët pranojnë se dita e sotme ka sjellë më tepër fluks, kryesisht në orët e para të mëngjesit.

Në Vlorë qytetarët shprehen se nuk ka rritje te çmimeve. 

Edhe pse Fieri është qarkun i dytë me numrin më të madh të të prekurve pas Tiranës, qytetarët duket se nuk duan t’ja dinë për rrezikun që u kanoset.

 Qytetarët në Durrës kanë zënë radhë të gjithë në të njëjtin orar për t’u furnizuar edhe për ditën e diel. Ata nuk respektuan as minimumin e rregullave, pa maska, pa doreza dhe mbi të gjitha nuk ruajtën as distancën.

Edhe në Librazhd, mëngjesi i së shtunës i nxori të gjithë qytetarët në treg, edhe këtu pa asnjë lloj mase mbrojtëse. Në këtë qytetet ata që kryesonin ishin të moshuarit.

E njëjta situatë ishte edhe në qytetin e Sarandës. Tregtaret tregojnë se çmimet nuk janë rritur. Situatë shqetësuese deri në orën 13 të së shtunës ishte edhe në Lezhë ku nuk munguan lëvizjet masive të qytetarëve./abcnews.al