Opozita e thirri në interpelancë për “McGonigal”, Rama nuk erdhi/ Balla: Është në detyrë, nuk mund të na tërheqin në çështje pa agjendë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, i pyetur nga gazetarët se përse kryeministri Edi Rama nuk është paraqitur në Kuvend për të dytën seancë radhazi, tha se ‘kreu i qeverisë është në detyrë nga mëngjesi në darkë’.

Për interpelancën dhe mocionin me debat të kërkuar për çështjen “McGonigal” Balla u shpreh se opozita nuk ka vërtet interes.

Rama kishte caktuar ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin për interpelancë, por kjo nuk u pranua nga deputetët demokratë. Sipas Ballës, delegimi i interpelancës bëhet sipas ligjit dhe ai vetë kur ka qenë deputet i opozitës ka thirrur kryeministrin e atëhershëm në interpelancë, por vetëm dy prej tyre janë zhvilluar nga kryeministri.

“Kemi të bëjmë me një opozitë që nuk ka asnjë lloj interesi qoftë për çështjen që thonë se duan të kenë informacione. Kryeministri i Shqipërisë mund të delegojë zhvillimin e një interpelance. Kur unë kam qenë në opozitë, kam kërkuar 18 interpelanca, vetëm 2 janë zhvilluar nga kryeministri, 16 të tjera nga të deleguarit.

Deputetët e opozitës, qofshin foltorista, apo përfaqësues të asaj që quhet PD zyrtare, nuk kanë interes për t’i shkuar më tej kësaj çështjeje. Seanca e sotme ishte qesharake. Imagjinoni kush flet për drejtësinë amerikane, ata që ndjekin atë që është non grata”

Çështja “McGonigal” është në agjendë e opozitës, por ne nuk pranojmë të na tërheqë opozita në çështje pa agjendë, thotë Balla, që shton se Rama është në detyrë nga mëngjesi në darkë.

“Ka një agjendë dhe gjatë zhvillimit të kësaj seance, për ligje tepër të rëndësishme që kalojmë sot, si ai për informacionet e klasifikuara… kryeministri është në detyrë.

Nuk ka asnjë lloj shmangieje nga një çështje që nuk është çështje. Këtu bëhet fjalë për t’i ikur debatit. Opozita i shkon pas një hetim të SHBA-së për një zyrtar të SHBA-së që ka ardhur dhe në Shqipërisë. Këta kanë këtë agjendë, por nuk mund të na tërheqin në çështje pa agjendë”.

Sipas grupimit Berisha, në padinë e ngritur ndaj McGonigal pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias renditen një sërë faktesh që lidhen me të paktën pesë takime të fshehta të zhvilluara mes kryeministrit Rama dhe McGonical, në praninë e dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe vepruar në emër të Ramës, përfshirë përmes mitmarrjes së shumës së 225 mijë dollarëve për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Rama është shprehur se nuk asnjë padi ndaj tij dhe se drejtësia amerikane s’mund të kontestohet nga vetëgjyqësia e Foltores apo vulës. Sipas kreut të qeverisë, opozita po e përdor për interesa të saj.