Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se sulmet ajrore izraelite kanë zhvendosur mbi 260 mijë palestinezë nga Gaza, transmeton Anadolu.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), bëri një deklaratë lidhur me situatën humanitare në rajon pas sulmeve ajrore të Izraelit.
“Më shumë se 263.934 njerëz besohet se janë larguar nga shtëpitë e tyre në Gaza”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa në një deklaratë të bërë dje nga Agjencia e OKB-së për Ndihmë për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) u njoftuar se mbi 175 mijë persona në Gaza janë strehuar në 88 shkolla dhe se numri i tyre rritet për shkak të sulmeve izraelite që vazhdojnë.
Konflikti Izraeli-Palestinë
Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit në mëngjesin e 7 tetorit njoftoi nisjen e një sulmi gjithëpërfshirës të emërtuar “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit.
Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa, ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.
Grupet e armatosura më pas nga këtu hynë në vendbanimet izraelite, ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.
Në sulmet e kryera nga Gaza kanë humbur jetën 1.200 izraelitë si dhe janë plagosur 2.806 persona të tjerë, 106 prej të cilëve rëndë.
Në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë ndaj Gazës kanë humbur jetën 974 persona, ndërsa janë plagosur 5 mijë të tjerë.
Ndërkohë, në sulmet e ushtarëve izraelitë në Bregun Perëndimor kanë humbur jetën 21 persona dhe janë plagosur rreth 130 të tjerë.