Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë në qytet nga sulmet izraelite është mbi 1.200 ndërsa 5 mijë të tjerë janë të plagosur, transmeton Anadolu.
Zëvendësministri i Shëndetësisë dr. Yusuf Eburrish, bëri inspektime në spitalin Shifa në Gaza për të vlerësuar situatën e shërbimeve shëndetësore.
OKB: Rritet në mbi 338 mijë numri i të zhvendosurve në Gaza
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan Rripin e Gazës gjatë gjithë natës
Duke folur në konferencën për media të mbajtur pas hetimeve, Eburrish tha se “Numri i dëshmorëve është afër 1.200 ndërsa të plagosurit janë afërsisht 5 mijë persona”. Ai theksoi se shumica e të vrarëve dhe të plagosurve janë fëmijë, gra dhe të moshuar.
Në deklaratën e mëparshme të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se spitalet në Gaza punojnë me kapacitet të plotë për shkak të shtimit të sulmeve izraelite.
Në deklaratën e tij për media, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf al-Qudra tha se për shkak të mbipopullimit, pacientët dhe të plagosurit ishin shtrirë përtokë në spitale dhe u bënë përpjekje për t’i trajtuar ata në këtë mënyrë.
Al-Qudra paralajmëroi se “Izraeli vazhdon të ndërpresë energjinë elektrike, ujin dhe karburantin. Kjo krijon rrezik të madh, mund të ndodhë një fatkeqësi shumë e dhimbshme mjedisore dhe shëndetësore”.
– Konflikti Izrael-Palestinë
Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”.
Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.
Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit ndërsa ushtria izraelite nisi sulm në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.
Thuhet se 1.300 izraelitë kanë humbur jetën në sulmet e kryera nga Gaza. Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se mijëra njerëz u plagosën në Gaza në sulmet e Izraelit.
Ministria deklaroi se numri i palestinezëve të vrarë në sulmet në Bregun Perëndimor të pushtuar arriti në 29 dhe numri i të plagosurve në rreth 150.