Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet izraelite në Gaza rritet në 11.320, përfshirë 4.650 fëmijë

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës së rrethuar është rritur në 11.320, transmeton Anadolu.

“Viktimat përfshijnë 4.650 fëmijë dhe 3.145 gra, ndërsa 29.200 të tjerë janë plagosur”, tha zyra për media e qeverisë në Gaza.

Sipas njoftimit, 3.600 njerëz të tjerë mbeten të pagjetur, përfshirë 1.755 fëmijë.

“Gjithsej 198 mjekë, 22 personel të mbrojtjes civile dhe 51 gazetarë u vranë gjithashtu në sulme. Agresioni izraelit ka çuar 25 spitale dhe 52 qendra të kujdesit shëndetësor jashtë shërbimit, ndërsa 55 ambulanca janë shënjestruar nga forcat izraelite”, thuhet në njoftim.

Zyra e medias tha se 40 pacientë humbën jetën brenda spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës në pesë ditët e fundit mes një rrethimi izraelit dhe mungesës së karburantit.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një ofensivë ndërkufitare nga Hamasi më 7 tetor.

Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në ofensivën izraelite.

Numri i të vdekurve izraelitë, sipas shifrave zyrtare, është gati 1.200.