Nuk ndalet masakra e nxjerrjes së gurëve në malin e Tomorrit, ndiqen penalisht 3 administratorë subjektesh

Pas denoncimeve të vazhdueshme të Fiks Fare për masakrën e nxjerrjes së gurëve dekorativë nga Parku Kombëtar, nga kontrollet e policisë mëngjesin e sotëm në malin e Tomorrit, janë proceduar penalisht 3 administratorë subjektesh.

Nën hetim janë marrë A. B., 36 vjeç, banues në Poliçan, H. K., 48 vjeç, banues në Berat dhe B. L., 48 vjeç, banues në Berat, të tre administratorë subjektesh për përpunimin e gurëve dekorativë, pasi gjatë kontrollit në zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit, janë gjetur 3 mjete ekskavatorë me anë të cilave nxirren gurët.

Fiks Fare ka denoncuar këtë jave se eskavator, kamionë, punëtorë shkojnë çdo ditë në malin e Tomorrit afër fshatit Mëlovë, në zonë të mbrojtur, dhe nxjerrin pllaka guri. Me VKM-në e vitit 2012, Mali i Tomorrit është shpallur Park Kombëtar dhe ka status të veçantë të mbrojtjes.

Fiksi e ngriti si problem edhe në vitin 2017 masakrën që po i bëhej këtij parku, ku ishin dhënë plot 12 leje shfrytëzimi, në letra në kufi me Parkun Kombëtar, në realitet nxirrin gurë brenda tij. Pas këtij denoncimi Ministria e Turizmit dhe Mjedisit së bashku me Inspektoriatin e Mjedisit nga inspektimi në terren vunë gjoba për subjektet dhe revokuan lejet.

Por mbrëmjen e së martës Fiksi tregoi se këto revokime kanë mbetur në letër pasi ende masakra në Parkun Kombëtar të Tomorrit vazhdon sot e kësaj ditë.

Gazetarët e Fiksit vëzhguan për disa ditë me radhë sesi pllakat e gurit nxirreshin pa kriter nga punonjësit vendas, e më pas kamionët e ngarkuar i depozitonin afër rrugës nacionale Çorovod- Skrapar tëk firmat që merren me grumbullimin dhe shitjen e gurit. Të vetmit që mungonin në këtë zonë ishin policia, inspektorët e mbrojtjes territorit, të cilët duhet të ndalojnë këtë këtë masakër mjedisore.