Nuk ka marrëveshje për qeverinë e re në Kosovë

Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, bëri të ditur me anë të një videomesazhi të shpërndarë në Facebook se nuk është arritur marrëveshja me LDK-në e Mustafës për qeverinë e re, transmeton A2News.

“Kisha planifikuar që sot të takoj deputetët e pakicave dhe të zhvillojmë edhe mbledhjen e jashtëzakonshëm të Këshillit të Këshillit të Përgjithshëm të VV. Mirëpo këto u pamundësuan nga refuzimi i ofertës sime për koalicionin qeverisës, duke na dërguar nesër në Kuvend pa marrëveshje qeverisëse”, thotë ndër të tjera Kurti në video.

Më tej, Kurti bën të ditur se ka bërë ofertën e fundit më 23 dhjetor dhe ajo është refuzuar.

“Oferta ime e datës 23 dhjetor u refuzua dje. Kjo ofertë kishte 3 pika dhe u refuzua në mesnatën e parmbrëmshme VV-së, pasi që si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, e LDK-së nënkryetari i dytë, dy partitë le të bëjnë rokadën midis këtyre posteve. Pika e dytë, çështjen e Presidentit, më së miri e lëmë për më vonë. Por nëse LDK insiston që ne ta bëjmë nominimin patjetër nga LDK-ja, atëherë neve do ta na shtohet një ministri, ajo e Punëve të Brendshme, e cila ka rëndësi jetike për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Pika e tretë, sipas kërkesës së LDK-së, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ndahet dhe me këtë rast Kultura dhe Rinia i kalojnë ministrisë së Arsimit”, tha Kurti.