Nuk arrihet armëpushim në takimin e ministrave rus dhe ukrainas

Ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas u takuan për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, por gjatë takimit nuk u arrit ajo që Ukraina synonte, armëpushimi.

Ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba bëri me dije se nuk është arritur armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës.

Sergei Lavrov, ministri i jashtëm Rus theksoi rëndësinë “e dialogut”.

Ai përsëriti pretendimin “Ukraina po përdor civilët si mburoja” për “operacionin ushtarak” të Rusisë në Ukrainë, të cilën pjesa tjetër e botës e cilëson pushtim.

Lavrov tha se Rusia kërkon demilitarizimin e Ukrainës dhe të heqë dorë nga kërkesa për t’u bërë pjesë e NATO-s.

“Operacioni ushtarak nuk është për të pushtuar Ukrainën, por për të mos lejuar që Ukraina të bëhet pjesë e NATO-s, duke rrezikuar Rusinë”, u shpreh Lavrov.

Lavrov dhe Kuleba u takuan në Antalia të Turqisë, ku ministri i Jashtëm turk e ndërmjetësoi këtë takim, të parin pas 15 ditësh tensioni.