Një shqiptar i Kosovës vritet në Siri

Në Kosovë autoritetet thanë se një shqiptar nga Kosova është vrarë në Siri.

Në Kosovë autoritetet thanë se një shqiptar nga Kosova është vrarë në Siri.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, u tha medieve shkurt se institucionet kanë marrë një informacion se një qytetar i Kosovës “që dyshohet se ka qenë pjesë e grupit ‘Al-Nusra’, Rron Emini, ka vdekur”, por nuk dihen më shumë hollësi.

Mediet vendase shkruajnë se ai kishte shkuar në Siri tre vjet më parë.

Që nga fillimi i luftës në atë zonë, afro 400 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit dhe mbi 70 syresh kanë humbur jetën.

Në fund të muajit të kaluar, autoritetet kthyen prej andej 110 veta në mesin e të cilëve 4 luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë 9 fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë.

Edhe më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.

Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, ka bërë që shumë luftëtarë të tij të kapen ndërsa familjarët e tyre të mbahen kampeve të ndryshme.