Një shpjegim racional për një veprim irracional të PD-së

Nga Redi Shehu

Ndodhi ajo që pritej të ndodhte. Më shumë se sa një problem politik, në thelb, ai është një problem  botëkuptimor . E kam fjalën për fundin e rrugës së cilës i dihej fundi edhe pa e parë. Ulja e Partisë Demokratike në tryezën e reformës zgjedhore pa kushte, është një ndër format më të rralla të dorëzimit psikologjik para atij politik.  Që nga viti 2017, marrëdhënia jonë me përmirësimin i cili duhej të vinte nga opozita, ka kaluar në kolaps sepse marrëdhënia jonë me të vërtetën ka kohe që vërtitet midis kurrkundit dhe asgjësë. Si gjithmonë, fajin e ka koha, jo njerëzit. Koha është ajo që na leverdis ta kritikojmë, sepse po jetojmë në kohën kur e vjetra politike ndodhet ne stadin e dekompozimit dhe e reja po ashtu politike, ndodhet ne stadin e fertilizimit. Ndodhemi në pikën e vdekur, ku zhgënjimi dhe shpresa takohen diku afër kuotës zero. E meqë jemi në këte gjëndje të pakuptueshme të pështjellimit, të drunjëzimit të ndjenjave, sforcohemi duke u munduar të ujisim të dekompozuarën dhe te shkelim të brishtën.

Ka kaluar një kusur kohe që kur thirrjet dhe deklarimet absolutiste që përjashtonin tryeza, bisedime dhe zgjedhje me Ramën kryeministër, mbushnin sheshet dhe mediat sociale. Të gjithë i kujtojmë ata muaj të cilat na jepnin një farë euforie për ndryshimin e shumëpritur, por, që nuk na mbushnin shpirtërisht sepse e ndienim që kjo nuk ishte rruga e duhur, se diçka nuk shkonte në raportet tona me të vërtetën dhe të drejtën. Pikërisht, sepse ndoshta po kërkohej gjëja e duhur me mënyrën dhe formën e gabuar. Nga 16 Shkurti i vitit të kaluar, deri më 30 Qershor, ekstremizimi politik arriti majat, bazuar në veprimet e opozitës e cila braktisi mandatet parlamentare si dhe bojkotoi zgjedhjet vendore në të gjithë Shqipërinë. Ky, ishte një akt i papreçedent politik. Ky akt, transformoi të gjithë sjelljen e politikës ndërkombëtare në raport me Shqipërinë. Baza ideore e këtij aksioni opozitar ka qenë mbështetur kryesisht në slloganin “Rama ik!”. Që të ikte Rama, opozita u betua se nuk do të kishte bisedime me anjë eksponent qeveritar me Ramën kryeministër. As bisedime, as tryeza dhe as zgjedhje me Ramën kryeministër. Për këtë, sipas opozitës së bashkuar, duhej krijuar një qeveri teknicienësh të cilët do ta udhëhiqënin vendin në zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes së supozuar të Ramës.

Detajet dhe dinamikën e asaj që ndodhi vitin që shkoi, të gjithë ne e kemi të qartë. Duhet kuptuar se pretendimet e opozitës nuk ishin pa asnjë farë baze. Mos të harrojmë se vendi ishte zhytur në korrupsion endemik, në inkriminim të politikës me figura kriminale në parlament, në PPP-të, në përgjime të krimeve elektorale ku figura të rëndësishme të Partisë Socialsite  dalin të përfshira në shitje dhe trafikim të votës, ku kryebashkiakët e lidhur me krimin përcaktojnë votën dhe masën elektorale etj. Mirëpo, pavarësisht kësaj, pavarësisht pafuqisë në vendimarrje politike të opozitës në parlament, veprimi i dorëzimit të mandateve ishte forma më ekstreme dhe njëkohësisht forma më e papranueshme për ndërkombëtarët, të cilët prej kohësh realisht e administrojnë  këtë vend. Pas kaq shumë muajsh dhe pas atij kalvari të gjatë të mbajtjes peng të shpresave të njerëzve, Partia Demokratike pranon të ulet në tryezën e Ramës, bile edhe me keq, në tryezën e Gjiknurit, për të cilin përfaqësuesit e PD-së, lanë tryezën e bisedimeve eletorale pak muaj më parë. Po përse kjo formë kaq e shëmtuar dorëzimi? Përse duhej që Partia Demokratike të merrte një kosto jo të vogël politike në raport me mbështetësit e vet ?

I vetmi shpjegim racional për një veprimtari irracionale që PD ka bërë kryesisht pas 2017-tës e këndej, është fakti i ekzistencës së dy PD-ve brënda të njëjtës PD. Pra, thënë më thjesht, Partia Demokratike  ndodhej në gjendjen e një identiteti të dyfishtë që kur lideri historik i saj, Sali Berisha, dha dorëheqjen nga drejtimi i kësaj partie pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2013. Gjitha gjasat, me rrjedhjen e ngjarjeve të mëvonshme, treguan se dorëheqja e z. Berisha nga partia e tij, ishte më shumë një dorëheqje taktike se sa një dorëheqjë politike. Influenca e tij në selinë blu, vazhdonte të ishte me një instensitet të lartë sidomos në atë fashë jo të vogël demokratësh të ngritur dhe projektuar prej tij si figura të rëndësishme politike. Nga krahu tjetër, kryetari de jure i PD-së Lulëzim Basha, edhe pse një produkt i z. Berisha, punoi gjatë gjithë kësaj kohe për të ndërtuar personalitetin e tij brënda selisë blu.

Kështu. historia e PD-së së re pas 2013-tës, ishte një histori që luhatej mes ndërtimit të PD-së së të Bashës nga njëra anë dhe konservimit të PD-së së vjetër të Berishës nga ana tjetër. Vetëm duke e parë në këtë formë, në mund të fillojmë t’i japim një fill logjik asaj zallamahie qëndrimesh politike shpesh kontradiktore që partia më e madhe e opozitës ka ndërmarrë kohët e fundit. Pra, brënda PD-së gjallonin në një hapësirë të ngushtë dy botëvështrime të ndryshme në lidhje me të ardhmen e marrëdhnieve të të djathtëve, jo vetëm me pozitën arrogante të Ramës, por mbi të gjitha me ndërkombëtarët të instaluar në këtë vend. Njëri këndvështrim ishte ai i mbështetësve të Berishës si ikona e papërsëritshme e demokratëvë, të cilët anonin nga artikulimi dhe veprimi i ashpër jo vetëm në politikë por edhe në terren. Ishte pikërisht ky grup që shtynte lidershipin demokrat drejt masave ekstreme politike dhe fizike, të bindur se kjo formë ishte e vetmja mënyrë për ta shkatërruar Ramën. Këndvështrimi tjetër, ishte ai i mbështetësve të z. Basha për një mënyrë më politke të zgjidhes dhe sidoms për një marrëveshje më të zgjuar me ndërkombëtarët.

Ajo që ka ndodhur me Partinë Demokratike nga mesi i Shkrutit të vitit të kaluar dhe deri me 30 Qershor, ka treguar se pikëpamja berishiste ka qenë triumfatore brënda selisë blu, duke vënë jo rrallë herë edhe vetë kryetarin Basha në një siklet shpesh edhe të dukshëm. Në këtë triumf të politikës së vjetër brënda PD-së, u bë pjesë edhe politika e vjetër e LSI-së e përfaqësur nga zoti Meta, sot në postin e Presidentit të Republikës. Ky përforcim i gardës së vjetër, e ka zënën në qark ekipin e ri të z.Basha të cilët të sforcuar u detyruan të ndjekin linjën e ashpër politike për të kulmuar me tërheqjen e turpshme të 30 Qershorit pas “knock-out”-it amerikan.Sot, pas pothuaj një viti nga veprimet ekstreme, Partia Demokratike na shfaqet në tryezën e z. Rama, përballë një Gjiknuri problematik që qesh, pa vënë asnjë kusht dhe pa pasur as edhe një as nën mëngët e saj të konsumuara. Cfarë ndodhi? Si mund të zhbëhet gjithë ajo gjuhë dhe gjithë ai veprim i ekstremizuar popullor? Ku shkoi gjithë ai gaz që desh mbyti dynjanë?

Nga gjuha e qetë dhe nga argumentet përdredhëse të përfaqësuesve demokratë,  të cilët qëllimisht lënë mënjanë një vit histori të PD-së, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, lënë të kuptojnë se në tryezën e bisedimeve, nuk është ulur PD-ja berishiste, por ajo bashiste. Pra, mund të nënkuptojmë se pas një gjëndje të gjatë në formë dyjare brënda vetes, PD duket se tashmë ka një identitet më të qartë pro z. Basha, që përkthehet më shumë marrëveshje dhe më shumë bashkëpunim me ndërkombëtarët. E gjitha kjo, na bën të mendojmë se si gjithmonë, në një rajon si ky i yni, i mbushur me satelitë të vegjël që nuk arrijnë të prodhojnë një politikë të tyren, fitoren e radhës e morën përsëri ndërkombëtarët të cilët, tashmë pas uljes në tryezë të PD-së, mund të vazhdojnë të qetë me agjendën e tyre për Ballkanin.