Një delegacion nga Kuvendi i Kosovës vizitë në Shqipëri

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, priti në një takim delegacionin e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Ardian Gola, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë në lidhje me takimin, theksohet se bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kosovës në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës është intensifikuar.

Kryetarja Nikolla, sipas njoftimit, vuri në dukje se “Bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është në ditët e tij më të mira dhe bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës, teknologjisë, kulturës, medias dhe sportit mes dy Kuvendeve dhe mes Shqipërisë e Kosovës, është një faktor i rëndësishëm për kohezionin kombëtar. Ky bashkëpunim nuk është vetëm vëllazëror, por përmbajtësor”.

“Bashkëpunimi në fushën e teknologjisë, sidomos teknologjisë së informacionit, në kushtet e sotme kur shumica dërmuese e shërbimeve publike ofrohet online dhe rrezikut të terrorizmit kibernetik, mbetet gjithashtu një prioritet. Sporti është gjithashtu një faktor i rëndësishëm i kohezionit kombëtar. Para pak ditësh, kampionet e Kosovës, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi u bënë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, thuhet më tej në njoftim.

Gjithashtu theksohet se kryetari i Komisionit nga Kuvendi i Kosovës, Ardian Gola, si edhe anëtarët e komisionit në fjalë vunë në dukje se bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është shumë i rëndësishëm për nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve.

Gjatë vizitës, delegacioni nga Kuvendi i Kosovës u takua edhe me anëtarët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë.