Ngjarja tragjike në Greqi, identifikohet shqiptari që u vra në lokal (Foto+Emri)

Shqiptari që u vra aksidentalisht gjatë një sherri me armë zjarri në Greqi është identifikuar.

37-vjeçari quhet Pëllumb Islami, por të gjithë e thërrisnin Sandri dhe sipas informacioneve ishte me profesion hidraulik.

Kujtojmë se ai mbeti i vdekur pas një sherri banal në lagjen Nea Jonia të Athinës.

Sipas policisë greke, gjithçka nisi pas një konflikti rreth orës 23:40, që disa klientë shqiptarë patën mes njëri-tjetrit në ambientet e një lokali.

Shumë shpejt sherri degjeneroi në përplasje fizike, e në vazhdim njëri prej tyre nxori një pistoletë që mbante me vete dhe qëlloi me armë ndaj grupit kundërshtar.

Plumbat plagosën një prej klientëve që ndodhej në lokal, i cili nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen. Ai u dërgua në spitalin KAT me plagë në gjoks dhe shpatull, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin.

Policia e cila mbërriti në vend ngjarje brenda pak minutash, tha se autorët mundën të largoheshin me një automjet të markës “Mercedes”, por nuk u bë i mundur ndalimi i tyre.

Në vend u gjetën shtatë gëzhoja dhe një plumb të deformuar, të cilat u dërguan për ekzaminim. Ende nuk dihen shkaqet e sherrit, por dyshohet për larje hesapesh mes bandave.