Në Katar “kërcehet tango”, Argjentina shpallet kampione bote!

Katari “kërcen tango” me Argjentinën që ia del të triumfojë 4-2 me penallti ndaj Francës, pas 120 minutash dramatike në “Lusail Stadium”, të cilat u mbyllën në barazim 3-3.

Lionel Messi ishte padyshim protagonist për bardhekaltrit, duke shënuar dy gola në finalen e madhe, ndërsa te “gjelat” u pa vetëm Kylian Mbappe, që me tripletën e tij ia doli të çojë Francën deri te penalltitë, por aty u shfaq specialisti i tyre, Emiliano Martinez, që priti goditjen e Coman dhe diktoi rrugëtimin e Kupës së Botës.

Me entuziazmin dhe dëshirën për të çuar në Buenos Aires këtë Kupë Bote, Argjentina e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte, duke kontrolluar lojën, mbajtur topin dhe krijuar raste shënimi, falë edhe një gjetjeje taktike të Lionel Scalonit.

Ky i fundit kishte aktivizuar Di Marian si sulmues i krahut të majtë, duke shfrytëzuar faktin që Deschamps luante me Kounde, një mbrojtës qendre, i sakrifikuar në krah dhe pikërisht veterani argjentinas frymëzonte me shpërthimet e tij.

Kështu ndodhi në minutën e 22-të, kur Di Maria hyri në zonë dhe u ndal nga Dembele me faull, duke fitur penallti. Nga pika e bardhë shkoi Lionel Messi, që ekzekutoi saktë dhe u dha avantazhin bardhekaltërve, duke shënuar kështu edhe golin e 12 personal në një Kupë Bote.

Vetëm pak minuta më vonë, në të 36-ën, Argjentina zbriti me një kundërsulm perfekt, duke shkuar në zonën franceze, aty ku Di Maria shënoi edhe golin e dytë me një qetësi dhe saktësi për t’u admiruar.

Franca “ishte në gjumë” dhe nuk u zgjua as në të 41-tën kur Deschamps largoi nga fusha Dembele e Giroud, por sfida mori një tjetër kthesë, atëherë kur dukej se edhe “gjelat” po dorëzoheshin dhe po pranonin fatin e finales.

Një gabim i Otamendit i dha mundësinë Kolo Muanit të marrë topin dhe të niset i vetëm në zonë, teksa mbrojtësi veteran i bëri faull nga mbrapa, duke shkaktuar penallti, të cilën e ktheu në gol Kylian Mbappe, deri atëherë në hije totalisht.

Kaq mjaftoi që të zgjohej edhe numri 10 i Francës, i cili vetëm dy minuta më vonë, shënoi një gol fantastik me një kthesë të bukur brenda zonës, duke rikthyer baraspeshën. Minutat e fundit ishin të mbushura me raste për të dy skuadrat, por koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2 dhe skuadrat iu drejtuan kohës shtesë.

Me 4 zëvendësime në dispozicion, Lionel Scaloni bëri sërish diferencën nga pankina, duke freksuar ekipin, teksa pikërisht Lautaro Martinez shpërdoroi dy raste në minutat 105’ dhe 106’.

Por në të 108-ën, sulmuesi i Interit korrigjoi shënjestrën, duke goditur fort portën e Lloris dhe topi i kthyer shkon në këmbët e Messit, që e ka të lehtë ta dërgojë në rrjetë, duke rikthyer avantazhin e Argjentinës.

Megjithatë në të 118-ën ka sërish penallti për Francën, dhe sërish Mbappe rikthen baraspeshën, duke dërguar sfidën te penalltitë, të cilat do të vendosnin edhe kampionin e botës.

Pikërisht këtu ishte Emiliano Martinez që priti penalltinë e Comn, duke dekurajuar francezët, ndërsa më pas Tchouameni gjuajti jashtë, duke i dhënë mundësi Argjentinës të triumfojë 4-2 dhe të shpallet kampione bote për të tretën herë në histori.

Argjentinë – Francë 3-3 (Messi 23′ pen., 108′, Di Maria 36’/ Mbappe 80′ pen., 82′, 118′ pen.)

4-2 me penallti