Ndërron jetë boksieri që i mori titullin të madhit Muhamed Ali

Në karrierë, amerikani ka fituar një medalje të artë në Olimpiadën e Montrealit (1976) dhe ka një bilanc prej 26 fitoresh, 17 humbjesh dhe 3 barazimesh.

Ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare Leon Spinks, boksieri që u bë i famshëm pasi, në vitin 1978, i mori titullin botëror për peshat e rënda legjendës Muhamed Ali. Spinks kishte vite që luftonte me kancerin.

Në karrierë, amerikani ka fituar një medalje të artë në Olimpiadën e Montrealit (1976) dhe ka një bilanc prej 26 fitoresh, 17 humbjesh dhe 3 barazimesh.

Por, ndeshja që e bëri të famshëm erdhi vetëm një vit pas debutimit të tij si profesionist. Pas vetëm 7 sfidash të zhvilluara, Spinks pati mundësinë për titullin botëror kundër boksierit më të madh të historisë. Në Hilton Hotel të Las Vegasit, në mbrëmjen e 15 shkurtit 1978, Muhamed Ali, në atë kohë 36 vjeç, ishte favoriti kryesor, por boksieri nga Saint Louis i habiti të gjithë, duke e mundur legjendën.

Ali mori revanshin disa muaj më vonë (15 shtator), duke fituar për herë të fundit titullin botëror të peshave të rënda. /a2cnn