NBA, Frank Vogel trajner i ri i Lakers

"Jemi të lumtur që Frank Vogel është trajneri kryesor i Lakers", tha Pelinka, i cituar nga ueb-faqja zyrtare e klubit

Klubi basketbollistik amerikan i Los Angeles Lakers, bëri të ditur angazhimin e Frank Vogel për trajner të klubit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Menaxheri kryesor i klubit, Rob Pelinka tha se angazhimi i Vogel është bërë me një kontratë shumëvjeçare.

“Jemi të lumtur që Frank Vogel është trajneri kryesor i Lakers”, tha Pelinka, i cituar nga ueb-faqja zyrtare e klubit.

“Trajneri Vogel ka një të kaluar të suksesshme në ‘play-off’-in e NBA-së, njëkohësisht duke reflektuar cilësitë thelbësore të cilat ne i kërkojmë tek një trajner, përfshirë përgatitjen e detajuar të lojës, punën e palodhur dhe përgatitjen e lojtarëve sipas standardeve më të larta të basketbollit”, ai shtoi.

Trajneri 45 vjeçar, është bërë trajneri i 27-të që ka drejtuar klubin, dhe i 23-ti që prej kur mban emrin Los Angeles Lakers.

Shifrat flasin se Vogel ka 304 fitore dhe 291 humbje (51.1 për qind) në 595 ndeshjet në të cilat ka drejtuar Indiana Pacers (2010-16) dhe Orlando Magic (2016-18).

Në stolin e Los Angeles Lakers ai do të trashëgojë Luke Waltonin i cili ka kaluar në radhët e Sacramento Kings.

Cavaliers angazhojnë ekspertin John Beilein për trajner të tyre

Edhe Cleveland Cavaliers kanë një trajner të ri. Bëhet fjalë për John Beilein i cili vjen nga pozita e trajnerit në ekipin e Universitetit të Michiganit, duke nënshkruar një kontratë pesëvjeçare.

Menaxheri kryesor i klubit, Koby Altman, tha se para angazhimit, kanë bërë një kërkim të thellë për të gjetur personin më të mirë të mundshëm.

“Kemi bërë një kërkim të thellë për të gjetur kandidatin më të mirë të mundshëm për trajner të Cleveland Cavaliers. Kishim intervistuar disa kandidatë të fortë dhe të talentuar të cilët padyshim do të kenë një mundësi për t’u bërë trajner kryesor diku tjetër në NBA”, ka thënë Altman.

Shifrat e Beilein flasin për 829 fitore dhe 468 humbje në karrierën e trajnerit.