Një tjetër flamur i shtohet sot familjes së Aleancës Euroatlantike, në një ceremoni të veçantë e cila zhvillohet sot në Bruksel.
Finlanda bëhet anëtari i 31 i NATO-s, duke shënuar edhe historinë për procesin më të shpejtë të anëtarësimit.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg mirëpriti shtetin nordik duke u shprehur se do të jetë një ditë e mirë për sigurinë e Finlandës, për sigurinë nordike dhe për NATO-n në tërësi. Procesi i anëtarësimit po vonohet për Suedinë, e cila po mbahet peng nga Turqia dhe Hungaria.
Ishte pikërisht pushtimi rus i Ukrainës i cili bëri që Finlanda e Suedia të aplikonin të bëheshin pjesë e NATO-s.
Aleanca Euroatlantike e cilëson anëtarësimin e Finlandës një aset.
Ky shtet nordik ndan një kufi prej 1,340 kilometrash me Rusinë dhe ndryshe nga shumica e anëtarëve të aleancës, Finlanda nuk i reduktoi shpenzimet e mbrojtjes pas Luftës së Ftohtë.
Ajo ka një ushtri të madhe të mirë stërvitur dhe ka ruajtur një nivel të lartë gatishmërie. Rusia ka paralajmëruar se do të forcojë forcat e saj përgjatë kufirit finlandez në rast të një dislokimi të trupave të NATO-s në shtetin më të ri anëtar.