NASA devijon asteroidin, realizohet me sukses operacioni hapësinor

Agjencia amerikane e Hapësirës, NASA njofton realizimin me sukses të devijimit të rrugës së një asteroidi.

Sipas NASA-s, shkëmbit hapësinor 160 metra të gjerë, të njohur si Dimorfos, i është devijuar rruga me goditjen nga sonda Dart muajin e kaluar.

Misioni kishte gjithashtu për qëllim të testonte strategjitë e mbrojtjes së planetit Tokë nga objektet hapësinore që e kërcënojnë atë.

Rezultati i sondës Dart konfirmon se një plan i tillë mund të funksionojë, nëse realizohet në kohë dhe nëse shënjestra nuk është jashtëzakonisht e madhe.

“Misioni tregon se NASA është duke tentuar që të jetë e përgatitur për çfarëdo objekti që e nis Universi drejt nesh”, ka thënë administratori i NASA-s, Bill Nelson.

Eksperimenti i suksesshëm ndodhi rreth 11 milionë kilometra larg Tokës.