“Mos jep më afate aman”! Sa herë ka fushatë Rama bën premtime në Rrugën e Arbrit, një ndër investimet më të kushtueshme që ende s’ka përfunduar

Rruga e Arbrit është një ndër ato akse rrugore kombëtare e cila është përuruar disa herë nga kryeministri Edi Rama.

Këtë të mërkurë, kreu i qeverisë ishte në qarkun Dibër, ku një ndër ndalesat e shfrytëzoi të zhvillojë një tjetër ceremoni inaugurimi për çeljen e segmentit rrugor Plani i Bardhë-Qafa e Buallit.

Duke pranuar se nuk janë respektuar asnjëherë afatet, Edi Rama e ka përuruar disa herë Rrugën e Arbrit, për të cilën në dhjetor të vitit 2014 nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë kineze.

Më 11 tetor 2018, Rama inspektoi punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, nga ku dha afatin e përfundimit të punimeve në pranverën e vitit 202,

Por më 29 Nëntor 2021 kryeministri ishte përsëri në rrugën e Arbrit, ku edhe këtë herë u organizua një ceremoni me flamuj kombëtarë, nën zhurmën e daulleve dhe pjesëmarrjen e banorëve të zonës të veshur me kostume popullore.

Megjithë ceremonitë e shumta të përurimeve, sidomos në kohë fushatash elektorale, punimet në Rrugën e Arbrit janë larg përfundimit.

Tuneli i Murrizit, që është aksi me më shumë kosto i rrugës. Rruga e Arbrit ka një histori të komplikuar kostosh, nga planet fillestare për ndërtimin e saj me 70 milionë euro, deri në ditët e sotme ku fatura pritet të arrijë mbi 350 milionë euro.

Qeveria e mori në dorëzim rrugën në nëntor të vitit 2021, edhe pse punimet nuk kishin përfunduar në një pjesë të madhe dhe me cilësi të dobët punimesh.