Monedha euro arrin në nivelin më të lartë në 4 muaj

Aktorët e tregut valutor pohojnë se rritja e euros lidhet më shumë me faktorë të tregut të brendshëm, ku bankat e nivelit të dytë kanë qenë aktive në blerje gjatë ditëve të fundit, për llogari të klientëve të tyre.

Monedha e përbashkët ka hyrë në një trajektore rritëse në tregun e brendshëm prej më shumë se dy javësh.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot me 122.66 lekë, duke u arritur në nivelin më të lartë që nga fundi i muajit maj.

Që nga mesi i shtatorit, kur arriti në 121.5 lekë, monedha e përbashkët është mbiçmuar me 1.5 lekë, në tendencë të ndryshme nga bursat ndërkombëtare ku euro ka qenë e dobët.

Aktorët e tregut valutor pohojnë se rritja e euros lidhet më shumë me faktorë të tregut të brendshëm, ku bankat e nivelit të dytë kanë qenë aktive në blerje gjatë ditëve të fundit, për llogari të klientëve të tyre.

Nga ana tjetër edhe faktorët sezonalë që nxitën rënien e euros në gusht, si prurjet nga turistët dhe nga emigrantët kanë përfunduar, duke ndikuar në uljen e ofertës.

Në të kundërt, dollari ka rënë sot në tregun e brendshëm, pasi dje arriti në 122.15 lekë, niveli më i lartë ky që prej fundit të 2017-s.

Ndonëse me ritme më të ngadalta se vitin e kaluar, euro ka qenë në rënie edhe gjatë 2019-s në tregun vendas. Për periudhën 3 janar -3 tetor, kursi mesatar i këmbimit të monedhës së përbashkët në tregun vendas ishte 123 lekë, nga 127.6 lekë që ishte mesatarja e vitit të kaluar.

Ekspertët presin që euro të jetë e fortë deri në muajin dhjetor dhe më pas sezonalisht fundi i dhjetorit shënon një nënçmim të saj, për shkak të prurjeve të emigrantëve.

Aktorët presin që në periudhat në vijim volumet e këmbimit do të jenë tepërt të ulëta. Sipas tyre muaji tetor dhe gjysma e muajit nëntor, historikisht, janë konsideruar si muaj të vdekur për sa i përket volumeve tregtare dhe parasë në qarkullim. /Monitor