Ministria e Shëndetësisë apel qytetarëve: Përdorni MASKA! E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen është …

Shifra tepër të larta vijojnë të regjistrohen në vendin tonë, ku vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 50 raste të reja dhe një tjetër humbje jete si pasojë e Covid-19.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Shëndetësisë bën edhe një herë thirrje për të gjithë qytetarët që duhet medoemos mbajtja e maskave sidomos në ambjente të mbyllura.

“Rritja e rasteve ditore pozitive në javën e fundit lidhet me uljen e vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore. Kjo ka bërë që krahas të prekurve që janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, të kemi dhe transmetim komunitar në disa bashki të vendit”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë.

“Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara.
Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur dhe mos i harroni kur dilni nga shtëpia. Vendosini ato kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh”, thuhet më tej në komunikatë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 13 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1077.

Në spitalin Infektiv sapo është shënuar një humbje jete. Një paciente 82-vjeçare nga Tirana ka ndërruar jetë si pasojë e COVID19. Aktualisht ne shërbimin infektiv po marrin shërbim 53 pacientë, 9 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 janë të intubuar.

Në vendin tonë janë aktualisht 608 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.