Midis dy të pamundurave

Nga Redi Shehu

Deklarimi i mbajtjes së dy kongreseve të Partisë Demokratike, njëri në 11 Dhjetor dhe tjetri në 18 Dhjetor, është akti i parë i ndarjes përfundimtare të kësaj partie, e cila hyri tashmë në rrugën rutinore të partive shqiptare, të cilat konfliktet e lidershipit të vet i pasqyrojnë në ndarje strukturore dhe ligjore të partive respektive. Ajo çka duket si fenomen i rrallë këtë herë, është fakti se, pjesa e Foltores e PD po shkon për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare, drejt krijimit të një partie të izoluar nga SH.B.A duke ndërtuar një prototip të ri politik dhe këtë bazuar nën sloganin e Berishës i cili thotë “kur flet anëtarësia hesht kryesia”. Pyetja është, a do kemi me 11 Dhjetor një strukturë të re politike anti-amerikane ? Çfarë do të thotë kjo ? Çfarë përfaqëson në fakt një rikthim i Sali Berishës në politikën aktive më këtë afsh anti-amerikan? A do të jetë ky fillimi i “Tranzicionit 2” në Shqipëri?

Këto janë pyetje legjitime të cilat vërtiten në kokat e secilit të merakosur për të ardhmen e të djathtës shqiptare por edhe të ardhmes së Shqipërisë. Në foltoret e tij, Berisha flet për një “rithemelim” të demokracisë shqiptare duke u bazuar tek rikthimi i legjitimitetit të humbur, pra, një luftë statutore e cila do të çojë drejt këtij rithemelimi që do ta shndërrojë Partinë Demokratike në organizatën më demokratike të parë ndonjëherë. Kjo do të ngjante shumë kërshëritëse nëse në ballë të kësaj iniciative do të ishte dikush tjetër, nga z. Berisha. Por, kur shihet se në gjithë këtë ndërmarrje politike të Foltores, angazhohen metoda, politika si dhe arketipa të tranzicionit, atehere ajo që po ndodh me Berishën nuk është rithemelim, por një riciklim i rëndomtë i praktikave tranzicionale, të cilat për hir të së vërtës, u duhen disave për të mbuluar bëmat e tyre duke përdorur në të njëjtën kohë edhe retorikën daljes prej tij (tranzicionit).

Kështu, përcaktimi i dy datave të kuvendeve, i vë demokratët në një pozitë mjaft të vështirë midis dy të pamundurave në lidhje me pushetin. Nga njëra anë Berisha i cili në softin e tij ka mitingun, masën, euforinë si dhe revolucionin (një çudi e madhe kjo për një që e quan veten të djathtë), por që në një skenar të lëvizjes së tij politike do të ishte i dënuar të mos vinte kurrë në pushtet për shkak të ngarkesës që i sjell statusi “non grata” nga amerikanët. Nga ana tjetër, demokratët kanë Bashën me pamje civile, i cili ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, por që nuk ka euforinë dhe karakterin revolucionar që të afrojnë me pushtetin. Në këtë mënyrë, demokratët në gjithë këtë skizmë të madhe të Partisë Demokratike, janë të dyzuar sepse ata e kuptojnë krejt mirë se të dy alternativat që po shfaqen në horizontin blu, janë alternativa që e kthejnë pushtetin e të djathtëve një mirazh në shkretëtirën tonë politike.

Mbledhja e 4.200 firmave nga Foltorja, u jep një impuls mbështetëve të Berishës të cilët brënda euforisë, tashmë kanë shpallur fitoren, por ama, nga ana tjetër, përbën një ndër atentatet më vetvrasëse që ata mund t’i kenë shkaktuar vetes, sepse duke i mbajtur në kasafortë dhe duke mos i bërë transparente për publikun e gjërë, kanë dëmtuar vetë thelbin e demokracise, vetë thelbin e rithemelimit që ata pretendojnë. Transparenca është zemra e demokracisë, duke mos u shfaqur transparentë, ata goditën mu në zemër të gjithë aspiratën e atyre që besuan se Berisha dhe Foltorja do kthejnë demoracinë e vërtetë në Shqipëri. Këtë e pasuron edhe fakti se në gjithë këtë debat të madh që u hap brënda PD-së, nuk pamë asnjë betejë ideologjike mbi të djathtën dhe sa e djathtë ka qenë Partia Demokratike këto dekada, sa transparente dhe se institucionale kanë qenë strukturat e saja gjatë udhëheqjes së Berishës ? Ajo që nuk të lë shije të mirë, është fakti se Foltorja nuk u aktivizua, nuk erdhi si burim apo si shqetësim i brëndshëm real i demokratëve ndaj partisë, por ajo u aktivizua nga një shkak dhe ngjarje e jashtme e cila direkt preku establishmentin e vjetër të PD-së. Në këtë rast, atëhere secili mund të mendojë se Foltorja më shumë se sa luftë statutore, ka të bëjë më një luftë për tepsinë e pushteti të partisë.

Kundërshitë brënda dy kampeve të të djathtëve tashmë po kthehet në luftë të mirëfilltë politike ku njëra palë jo vetëm që nuk e njeh tjetrën por kërkon ta zhduke politikisht atë. Ky është një konflikt i bazuar, më shumë se sa në proçedura, në një luftë politike, dhe në këtë rast diskursi mbi proçedurat kthehet i një rëndësie të dorës së dytë. Panorama që kemi deri më tani është një datë 18 Dhjetori e çertifikuar nga një kryesi reale të konfirmuar para pak muajsh nga vetë Berisha dhe ndjekësit e tij, dhe një datë 11 Dhjetori të pretenduar nga një anëtarësi delegatësh akoma imagjinare e paqartë dhe e pa verifikuar. Pra, lufta politike brënda Partisë Demokratike deri më sot, shtrihet në rrafshin mes reales institucionale dhe imagjinares revolucionare. Ajo që e ndan gjithë këtë betejë është se ku do të lëvizi maxhoranca e delegatëve në cilin prej kuvendeve dhe me çfarë legjitimiteti ligjor të bërë publik.

Ngjaret e fundit në PD, kanë treguar vetëm se atë çka PD-ja e pas 2013-tës ishte në të vërtetë. Një organizatë e madhe brënda së cilës gjallonin dy parti demokratike të pa institucionalizuara me liderët, deputetët si dhe ndjekësit e vet. Shpërthimi së jashtmi i konfliktit po e çbën këtë organizatë çadër, funksioni i së cilës tashmë bëhet i pavlerë duke kristalizuar krejt qartë ekzistencën e këtyre partive.