Meta takohet me Berishën në selinë e PD-së

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta po zhvillon një takim me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Meta ka mbërritur në selinë blu paraditen e së hënës dhe ndodhet në zyrën e kryedemokratit.

Ky takim, vjen pas protestës së 12 nëntorit dhe asaj që pritet të zhvillohet më 6 dhjetor, në një njëjtën ditë kur do të mbahet në Tiranë, Samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Më 27 tetor, të dy liderët firmosën një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre, për zgjedhjet e ardhshme lokale të 14 majit të vitit 2023.

Bazuar në këtë marrëveshje, dy partitë opozitare do të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilët do të vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare që do të organizohen nga PD-ja.