Tre ditë pas ngjarjes tragjike në Tiranë ku humbi jetën 14-vjeçari Martin.C, i cili u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij, një episod problematik është shënuar në Korçë ku një nxënës 13-vjeçar është konstatuar nga mësuesja se mbante një biçak në çantën e shkollës.
13-vjeçari, nxënës në shkollën 9 vjeçare të qytetit të Bilishtit është kapur brenda ambienteve të shkollës me një mjet prerës biçak. Ka qënë mësuesja e kësaj shkolle ajo që ka marrë informacion dhe më pas ka kontrolluar çantën e nxënësit, ku ka konstatuar dhe praninë e mjetit prerës.
Pasi ka gjetur biçakun në çantën e nxënësit, ajo ka lajmëruar drejtorinë e shkollës e më pas policinë. Këta të fundit në prani të psikologes së shkollës kanë marrë në pyetje nxënësin, i cili mësohet të ketë thënë se e ka blerë në një dyqan në qytetin e Bilishtit, pa treguar me tej arsyet e kësaj blerje.
Sipas drejtorisë së shkollës, 13 vjeçari është nxënës i rregullt dhe në asnjë rast nuk ka paraqitur probleme për mësuesit si dhe bashkëmoshatarët e tij të shkollës.
13 vjeçari është marrë në pyetje nga specialistët e hetimit të krimeve pranë komisaritit të Devollit në drejtim nga një prokuror i gatshëm, ku pritet që të nisë procedim penal edhe për shitësin pasi sipas burimeve të siguruara pranë komisaritit të Devollit, nuk lejohet shitja e mjeteve prerëse tek minorenët.