“Mesazhe të forta”, Gjekmarkaj për deklaratat e ambasadores Kim: Lajm i keq për Ramën, PD në sintoni me SHBA do t’i japë ndryshimin vendit, ata që kritikojnë Bashën…

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj deklaron se mesazhet e ambasadores Yuri Kim pas takimit me Bashën janë shpresëdhënëse për demokratët dhe një lajm i keq për Edi Ramën.

Për Gjekmarkajn tashmë nuk ka dy të vërteta për një çështje dhe se anëtarësia e PD duhet të përballet me të vërtetën e cila mund të jetë e dhimbshme, por e vetme.

Deputeti thekson se tashmë PD i ritkhehet fuqishëm aleancën me SHBA dhe në sintoni me të do i japë ndryshimin vendit.

Për më tepër Gjekmarkaj kujton rastin e rënies së qeverisë së Gruevskit në Maqedonine Veriut teksa komenton se autoritarizmi i tij ishte shumë solid, por me mbështetjen e ndërkombëtarëve Zaev arriti ta thyejë.

Sa i përket Foltores së Berishës dhe kritikëve të Bashës, deputeti i PD qartazi tregon se është hipokrizi në zemërimin e ish-kryeministrit dhe nëse vendimi i liderit demokrat refuzohet atëhere rrezikon të kthejë PD në një parti anti-amerikane.

STATUSI NGA AGRON GJEKMARKAJ
Mesazhi i Ambasadores Kim dhe nevoja për të parë të vërteten në sy!
Dje e sapo kthyer nga Uashingtoni Ambasadorja Juri Kim trokiti në derën e Lulzim Bashes. Mesazhet e saj ishin të forta, të pazakonta , mbresëlënëse dhe shpresëdhënëse për PD e cila po kalon ditë të vështira dhe emocionale. SHBA nëpërmjet zërit të Zonjës Kim deklaruan mbështetje për PD dhe vendimet e Bashes madje dhe gatishmëri për të festuar fitoren e PD në zgjedhje. PD, trupa drejtuese e kryesisht anëtarësia e saj duhet të përballen me të vërteten e cila është e dhimbshme por dhe e vetme! Nuk ka dy të vërteta për një çështje. Nuk kishte një tjetër shteg nga ku mund të kalonte PD dhe Kryetari i saj. Ambasada e SHBA ktheu mbrapsht çdo aludim për dëmtim të demokracisë në PD me ndërhyrjet e saj duke e konsideruar atë fyes.

PD sot i është rikthyer fuqishëm aleancës historike e strategjike me SHBA jetike kjo për cilësinë e demokracisë në këtë parti dhe në vend, por mbi të gjitha jetike për të çmontuar kapjen e shtetit në çdo qelizë nga pushteti mafioz i Edi Rames.

Deklaratat e mbështetjes totale që PD mori dje nga Yuri Kim janë lajmi më i keq për Edi Ramen dhe urdinë e tij që i shkon nga pas në këto tetë vjet. Ne e dimë si u çmontua neodiktatura e Gruevskit në mandatin e saj të tretë me mbështetjen e ndërkombëtareve, të cilët i lëshuan në dorë dhjetëra “bomba” Zoran Zaevit me të cilat e shkërmoqi çdo tullë autoritarizmi që dukej aq solid nga jashtë.

Mos harroni që Edi Rama bëri masaker zgjedhore ! Mos harroni që 85 mijë vota dolën të pavlefshme dhe pos kësaj diferenca e tij në vota me Opozitën është vetëm 37 mijë. Ky është një pushtet ilegjitim i cili i ka rrënjët në kënetën e krimit dhe të trafikut. Mos mendoni që demokracitë perendimore e tolerojnë pafund korruptimin e demokracisë në vendin tonë anëtar i NATO-s.

Gjëndja e krijuar në PD është pasojë e vendimit të marrë nga SHBA dhe spostimi i fokusit mbi probleme të tjera është artific që nuk i përgjigjet realitetit!

Çdo lëvizje sado e mbeshtjellë me zhargon tjetër në thelb ofron konflikt me SHBA-të. Shumë prej atyre që po kritikojnë Bashen të cilët kanë patur karriere të gjatë më shumë seç duhet në PD, për zgjedhjen e tij të kushtëzuar dikur himnizonin çdo qëndrim a deklaratë të Ambasadës në funksion të raportit antagonist që kishin me Bashen.

Sot e injorojnë si realitet a thua se nuk ka ndodhur apo nuk ekziston qëndrimi i tyre! Në çdo debat nuk e zënë me gojë vendimin amerikan dhe cila ishte zgjidhje për të ndërsa gjykojnë vendimin e Bashes duke u kapur tek forma dhe jo thelbi.

Mblidhen e flasin duke mos zënë me gojë vendimin ultimativ të SHBA për Sali Berishen të cilin nuk ka kellqe askush ta komentojë. Sido që na është dukur i gabuar dhe i padrejtë ai është vendimi i tyre të cilin ne nuk e negociojnë dot! Ai mund të refuzohet vetëm me koston e shndërrimit të PD në një parti antiamerikanë!

Çdo forme tjetër është hipokrizi dhe benzinë në zemërimin e Sali Berishes.

Personalisht persa me takon i jam bashkuar vonë formalisht PD paçka se prej vitesh kam mbështetur kauzat e saj opozitare dhe të së djathtës në përgjithësi, por do preferoja ta shihja përsëri veten jashtë saj nëse ajo perceptohet si antiamerikane nga vetë SHBA-të, sepse nuk mjafton ajo çka mendojmë ne për veten.

Ky nuk është nënshtrim as servilizem por interes madhor i PD dhe vendit tonë në optiken time. Përtej kësaj ndjesie jam i bindur që shumë shpejt PD do të kalojë këtë traumë dhe në sintoni me aleatet strategjikë SHBA në krye do ti japë këtij vendi ndryshimin duke e çliruar nga tirania e zgjedhjeve të vjedhura , banaliteti i korrupsionit dhe mecenati i krimit!