Megaoperacion antidrogë në Shkodër, asgjësohen 3491 rrënjë kanabis

Gjatë kontrollit masiv të territorit, në kuadër të operacionit policor “Alpe të pastra”, policia e Shtetit ka evidentuar me anë të dronëve dhe ka goditur 6 raste të kultivimit të bimëve narkotike.

Në operacion kanë marrë pjesë 100 forca policore të Komisariateve të Policisë Shkodër, Vau i Dejës dhe Malësi e Madhe, si dhe 6 dronë.

Në total janë gjetur dhe asgjësuar 3491 bimë narkotike të llojit cannabis sativa.

Policia bën me dije se po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në këto veprimtari.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.

“Në kuadër të kësaj faze, u asgjësuan në total 3491 bimë narkotike cannabis sativa, prej të cilëve: 304 bimë në Pult dhe Theth, Shkodër; 1021 bimë në fshatin Rrapsh, Malësi e Madhe; 2166 bimë në fshatrat Shllak dhe Temal, Vau i Dejës”, njofton policia.