Me armë në brez në mes të lokalit në Tiranë, arrestohet 37-vjeçari

Një 37-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi u kap në flagrancë me armë zjarri pistoletë me municion luftarak, në ambientet e një lokali në kryeqytet.

37-vjeçari me inicialet A.L., u ndalua  në një bar-kafe në rrugën “Him Kolli”, pas informatave të siguruara nga policia se po qarkullonte i armatosur.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë dhe municioni luftarak. Ndërkohë që materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në një lokal në rrugën “Him Kolli”, ndodhej një shtetas i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Befasia”, për kapjen e tij.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në lokalin ku po qëndronte shtetasi A. L., të cilit gjatë kontrollit fizik i gjetën një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve luftarake dhe i municionit”, thuhet në njoftimin e policisë.