Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, çfarë nënshkruajnë sot Shqipëria dhe Mali i zi

Dritan Abazoviç pret këtë të hënë kryeministrin Edi Rama në Podogoricë. Takimi mes dy homologëve merr rëndësi të vecantë, pasi në të do të përfshihen edhe ministrat e qeverisë të Malit të Zi dhe Shqipërisë për të bahkëpunuar në një sërë fushash.

Mbledhja pritet të nisë në orën 10:45, ndërkohë që në 10:30 do të bëhet pritja e delegacioneve.

Mbledhja e përbashkët në kryeqytetin malazez do t’i hapë rrugë ndërtimit të një dogane të re në Shën Nikollë-Pulaj dhe një ure mbi lumin e Bunës që do të afrojë dy vendet.

Këto janë 2 prej 9 marrëveshjeve që do të firmosen nga Rama e Abazovic.

Të tjerat që do të nënshkruhen nga ministrat respektivë përfshijnë memorandume në fushën e energjsë, mbrojtjes, peshkimit, bujqësisë, arsimit, sportit e kulturës.

Fqinjësia e mirë me Malin e Zi është bërë shkas që edhe më herët të bashkpëunohet për ndërtimin e infrastrukturës në rrugë, hekurudhë, mbrojtjen e gjuhës shqipe apo njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit.

Megjithë raportet e ngushta, Mali i Zi nuk e ka përqafuar ende nismën e Ballkanit të Hapur, ku palë janë bërë deri më tani Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.