Në qytetin e Shkodrës është zhvilluar ceremonia e fillimit të vitit të ri shkollor dhe hapjes së shkollës së Fondacionit Turk Maarif, “Maarif Shkodër Campus”, ku qindra nxënës kanë filluar procesin mësimor për vitin shkollor 2023-2024, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e shkollës ishin të pranishëm kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Birol Akgün, ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Edona Bilali, prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Onid Bejleri, prindër dhe nxënës dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe organizatave të ndryshme.
Kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Akgün, në fjalën e tij u shpreh se Fondacioni Turk Maarif ka shkollat e tij në 52 vende të ndryshme të botës dhe shtoi se vizioni i tyre si fondacion është që të nxjerrin breza të suksesshëm dhe shembullorë.
“Sa i përket Ballkanit, ka një rëndësi të veçantë sepse jemi popuj që kemi jetuar në të njëjtën histori, në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë. Këto shkolla janë pika që bëjnë lidhjen mes dy popujve dhe Türkiyes dhe Shqipërisë dhe këtë shembull e pamë qartë në kohën e tërmetit, pandemisë dhe në shumë kohë të vështira”, tha Akgün.
Akgün u shpreh se “si nxënësit, edhe ne jemi po aq të emocionuar që kemi bërë të mundur hapjen e shkollës tonë në Shkodër, pas shkollave që kemi në Tiranë dhe Elbasan”.
“Dua të shpreh falënderimet për kontributin e dhënë Presidentit të Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, gjithashtu për mbështetjen dhe kontributin që ka dhënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe të gjitha institucionet kryesore të dy vendeve që ndodhen këtu”, tha Birol
Ambasadori Atay në fjalën e tij theksoi se Fondacioni Maarif është një vlerë shumë e madhe që ka shteti turk dhe një markë globale.
“Si ambasador i Republikës së Türkiyes në Tiranë ndihem krenar që në qytetin historik, në këtë qytet me vlera të shumta i është shtuar një vlerë e madhe në arsimin e shkollave Maarif në Shqipëri. Eksperienca e jetuar prej vitesh bashkë dhe përvoja që kemi kaluar me njëri-tjetrin është një gjë me vlerë të madhe që dy shtetet i kanë dhe po i tregojnë dhe po i tregojnë në mbështetje të njëra-tjetrës këtu në këtë vend”, tha ambasadori Atay.
Drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, tha se qartazi janë ndër shkollat me të mira ku fëmijët zhvillojnë edukim në Shqipëri. “Në Shkollën Maarif Shkodër, të cilës po i bëjmë hapjen, i kemi të gjitha nivelet nga kopshti deri tek gjimnazi dhe e kemi filluar vitin akademik ne kohën e duhur. Shkolla ka kapacitet fizik për zhvillimin e mësimdhënies për 600 nxënës njëkohësisht, ku përbëhet me 29 klasa, një sallë konference, dhoma e dramës, pesë laboratorë, klasa robotike, laboratorët e gjuhës dhe të kompjuterëve”, theksoi Özbaysar.
Edona Bilali, deputete e Kuvendit të Shqipërisë në Qarkun e Shkodrës dhe ish-ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, tha se ka pasur fatin që gjatë kohës që shërbente si ministre ka pasur bashkëpunim me Universitetit New York Tirana dhe shtoi se “jam dëshmitare e transformimit të Fondacionit Maarif dhe vlerës së shtuar që ai sjell në çdo vend që vendos me ardhur për të kontribuar”.
“Shkodra është djepi i kulturës, ka qenë ndër vite dhe krenohemi të gjithë bashkë që rezultatet e shkëlqyera të fëmijëve tanë janë jo vetëm në rang kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Për të arritur rezultate të mira dhe për të vijuar për të bërë inovacion, infrastruktura është një element shumë i rëndësishëm, prandaj dua të ju përgëzoj për këtë ndryshim transformues që i keni bërë ambienteve të shkollës”, tha Bilali.
Prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, në fjalën e saj tha se hapja e shkollës mbetet një ditë e veçantë për të gjithë. “Për mua personalisht, por dhe për institucionin që unë drejtoj, kjo shkollë është një vatër e shtuar e dijes që do të shprehet në një mënyrë të re dhe frymëzuese. Shkolla e re është hapur dhe e gatshme për të na udhëhequr drejt të ardhmes më të ndritur”, u shpreh Angoni.
Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Onid Bejleri, gjatë fjalës në ceremoni tha se beson që marrëdhënia shumë e mirë dhe lidhja e veçantë që ka pasur qyteti i Shkodrës me popullin turk dhe institucionet e turke sot po kurorëzohen me hapjen e këtij institucioni arsimor.
“Duke parë eksperiencën që shkollat Maarif kanë në mbarë botën dhe duke parë rezultatet shumë të mira që kanë dhënë në edukimin e brezave të rinj, jam besimplotë që këtë eksperiencë do ta transmetojnë edhe në qytetin tonë dhe besoj është një vlerë e shtuar për qytetin tonë prezenca e shkollave Maarif tek ne”, u shpreh Bejleri.
Gjatë aktivitetit u prezantuan edhe punime dhe krijime të nxënësve të shkollës në fusha të ndryshme si dhe u mbajt edhe një program artistik.
Shkolla në Shkodër që është marrë nën administrim nga Fondacioni Turk Maarif dhe ku aktualisht ndjekin mësimin rreth 370 nxënës nga kopshti deri në gjimnaz, më parë ishte kolegj i lidhur me organizatën terroriste FETO.
Fondacioni Turk Maarif, përveç Universitetit New York Tirana, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, si në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër.