Matësit inteligjentë të energjisë, qeveria do ketë gati studimin në gusht

Në fund të gushtit qeveria shqiptare pritet të ketë në dorë studimin që do t’i tregojë qasjen më të mirë sa i takon tranzicionit drejt matjes inteligjente në sektorin e energjisë.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) publikoi detaje lidhur me procedurën e asistencës ku tashmë kompania fituese është prej disa kohësh me një vlerë kontrate 196 mijë euro. Sipas BERZH kjo asistencë vjen si pjesë e mbështetjes që kompania e shpërndarjes së energjisë mori nga paketa e COVID-19.

“Qëllimi i projektit është të identifikojë qasjen strategjike më të përshtatshme për alternativën më të mirë të zbatimit të Sistemit të Matjes Inteligjente në Shqipëri duke filluar nga sistemi tashmë i instaluar dhe matësit.

Arsyeja kryesore për përgatitjen e strategjisë për zbatimin e sistemit të matjes inteligjent është ulja e humbjeve të energjisë elektrike në operatorin shqiptar të sistemit të shpërndarjes OSSH dhe përmirësimi i tarifave të arkëtimit për furnizuesit që përdorin rrjetin e shpërndarjes.

Gjithashtu, zbatimi i Sistemit të Matjes së zgjuar është gjithashtu pjesë e procesit të harmonizimit me rregulloret e BE-së, më saktësisht me Direktivën e Efiçiencës së Energjisë” sqaron BERZH në publikim.

Sipas kësaj të fundit kompletimi i konsulencës do të jetë në 18 gusht sipas kantatës paraprake tashmë të nënshkruar. Fondet për këtë konsulencë janë si efekt i kredisë 70 milionë euro që banka i dha OSHEE në 18 janar 2021 dhe që aktualisht është në fazë disbursimi.

Mbështetja “Përgjigja e OSHEE ndaj krizës së COVID-19” kishte në fokus të saj mbështetjen e ndërtimit të një nënstacioni shpërndarës nëntokësor në qendër të Tiranës. Nënstacioni është i pari i këtij lloji në Shqipëri me një ndikim të rëndësishëm në rindërtimin e rrjetit të shpërndarjes.

Në atë kohë kjo kredi u cilësua si një mundësi për të siguruar likuiditetin emergjent si dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit ndaj goditjeve sistemike si pasojë e krizës Covid-19.

“Lehtësia e propozuar është e strukturuar për të garantuar ruajtjen e kapaciteteve jetike të pagesave dhe likuiditetit dhe kalimin në zinxhirin e furnizimit të OSHEE. Gjithashtu, OSHEE do të krijojë një qendër trajnimi profesional për të ofruar programe trajnimi me cilësi të lartë dhe për të synuar punonjësit e rinj nga rajonet e pashërbyera” do të nënvizohej në projekt.

Gjithsesi përtej krizës së COVID-19 sektori energjetik në fund të vitit 2021 do të gjendej përpara krizës së energjisë së disponueshme diçka që u thellua edhe më shumë në vitin 2022. Kjo ka bërë që kompanitë të fokusojnë vëmendjen jo më tek investimet por tek sigurimi i energjisë./N.Maho