Maskohet si vajza e tij për tu arratisur nga burgu, dështon tentativa e trafikantit

Nëse tentativa nuk do të kishte dështuar, do të ishte një nga arratisjet më spektakolare. Rasti i një trafikanti të dënuar droge në burgun e Rio de Janeiro ka bërë xhiron e botës. Clauvino da Silva 42 vjeç ishte maskuar si vajza e tij 19-vjeçare për t’u arratisur nga burgu.

Autoritetet braziliane publikuan një video ku shfaqej 42-vjeçari i veshur me paruke, maskë silikoni në fytyrë, reçipeta dhe një bluzë. Pasi hoqi maskimin, u zbulua trupi i tij muskuloz. Zyrtarët e burgut në Rio de Janeiro thanë se vajza 19-vjeçare kishte shkuar për të vizituar të atin. Plani i 42-vjeçarit ishte ta linte vajzën në dhomën e vizitave dhe ai të largohej i maskuar. Mirëpo, tentativa e tij dështoi. Jo vetëm kaq, por tashmë mund të akuzohet edhe vajza për dhënie ndihme për arratisje nga burgu, transmeton Klan.

Clauvino da Silva është dënuar për trafik droge me 73 vite e 10 muaj burgim. Autoritetet tashmë po hetojnë si janë futur në qeli rrobat dhe maskimi që përdori 42-vjeçari. Vajza e tij dhe shtatë persona të tjerë që kanë vizituar së fundmi da Silvan po merren në pyetje. Dyshimet janë se sendet janë futur nga një grua shtatzënë që i kishte shkuar për vizitë, e cila nuk u kontrollua nga gardianët.

Clauvino da Silva ka tentuar edhe herë tjetër arratisjen. Në vitin 2013 ai ishte në mesin e 31 të burgosurve që u arratisën nga një burg përmes kanalizimeve. Ai u kap më vonë. Policia braziliane thotë se da Silva do të transferohet në një burg të sigurisë së lartë.