Masa të reja/ Ndryshon ora policore, kushtet për të hyrë në Shqipëri; Vaksina e detyrueshme për tre kategori

Duke filluar nga 1 shtatori në vend futen në fuqi masat e reja anti-Covid. Komiteti Teknik i Ekspertëve duke analizuar situatën pandemike ka vendosur se:

-Ora policore nga 24:00-06:00 do të ndryshojë në 23:00-06:00.

-Nga data 6 shtator që hyjnë në territorin shqiptar duhet të plotësojë një nga këto tre kushte:

  • Të ketë certifikatën e vaksinimit, ku data e vaksinimit të pltë të jetë jo më e vonshme se dy javë
  • Test PCR jo më të vjetër se 72 orë;
  • Test i shpejt jo më të vjetër se 48 orë.
  • Ose të kenë provë të kalimit Sars-Cov 2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit. Nga këto rregulla përjashtohen fëmijët deri në 6 vjeç.

-Shtetasit shqiptarë rezidentë që hyjnë në Shqipëri dhe nuk plotësojnë kushtet e mësipërme, duhet të izolohen për 10 ditë, dhe në fund të karantinës duhet të bëjnë një test anti-covid.

Komiteti ka rekomanduar vaksinën e detyrueshme, për arsimtaret, mjekët dhe studentet.

“Vlerësohet që shtatori të jetë periudhë që arsimtarët, stafet dhe studentët të kryejë vaksinimin dhe deri në datën 30 shtator të dorëzojnë vërtetim pranë qendrës së tyre të punës dhe për studentë pranë zyrave të përcaktuara, kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania.

Për ata që nuk e kanë vaksinën do të kërkohet paraqitja periodike e testit PCR për të verifikuar infektueshmërinë. Përjashtim do bëhet vetëm për ata që kanë indikacion mjekësor të përcaktua me dokument mjekësor për të mos bërë vaksinën. një dokument i cili do të vlerësohet përveç mjekut edhe nga specialistë të ISHP-së për të evidentuar një vendim jo fort të sakë”, tha Rakacolli.

– Penaliteti për paraqitjen për marrjen e PCR në mënyrë periodike do të fillojë vetëm pas datës 30 shtator.

– Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

– Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

– Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.

Vala e re e Covid-19 ka mbërritur edhe më herët se sa vjeshta

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, i konsideroi shqetësuese shifrat në rritje të infektimeve nga varianti Delta.

“Nuk ka tani më asnjë dyshim se vala e re e Covid-19 ka mbërritur edhe më herët se sa vjeshta. Në Spitalin “Covid 1” janë pothuaj 100 të shtruar, 17 prej tyre në terapi intensive. Janë shumë më pak se sa në rajon, edhe falë shpejtësisë me të cilën Shqipëria nisi vaksinimin masiv, por janë shumë sidoqoftë po të kemi parasysh se jemi ende në gusht.Mjekët më kanë raportuar gjatë gjithë kësaj periudhe se, numri i të pavaksinuarve, është sa 95% e totalit të shtrimeve. Pra është fare e qartë se kush nuk është vaksinuar ende po rrezikon seriozisht, ndërsa përqindja fare e ulët e të vaksinuarve që preken është sidoqoftë shumë më e mbrojtur nga përkeqësimi fatal i sëmundjes”.

Ministrja Manastirliu tha se nisur nga kjo situatë, do të zbatohet plani i detyrimit të vaksinimit për disa kategori.

“Shtatori do të jetë muaji i dytë i hapur për vaksinimin. Do të nisim shumë shpejt zbatimin e planit për kalimin në një tjetër fazë të fushatës së vaksinimit, ku detyrimi i disa kategorive për t’u vaksinuar do të bëhet në emër të së drejtës së të tjerëve për të mos u infektuar. Të gjitha vendet po lëvizin në këtë drejtim dhe ne do ta bëjmë pa humbur kohë në ditët në vijim”, nënvizoi Manastirliu. /monitor