Maqedonia e Veriut do të marrë presidencën e OSBE-së nga Polonia

Maqedonia e Veriut me një seancë zyrtare që do mbahet më 12 janar në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, do të marrë nga Polonia presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga OSBE-ja, janë përfshirë vlerësimet e ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

“Është përgjegjësi e madhe dhe krenari të marrësh presidencën e OSBE-së për vitin 2023. Qëllimi ynë do të jetë të përqendrohemi në parimet e Aktit Final të Helsinkit në përputhje me dobitë dhe nevojat e njerëzve”, ka thënë Osmani.

Ai bëri të ditur se synojnë të arrijnë tek njerëzit që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje, kryesisht në zonat e konfliktit. Osmani më tej ka theksuar se “Ne e shohim OSBE-në si një ofrues të përhershëm në lehtësimin e krizave dhe mbështetjen e paqes”.

Osmani ka folur për luftën Rusi-Ukrainë. “Lufta e agresionit të filluar pa ndonjë arsye kundër Ukrainës, ashtu sikur trondit arkitekturën e sigurisë së Evropës, kërcënon paqen dhe stabilitetin në kontinent dhe më gjerë”, tha ai.

“Në këtë kohë kritike për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës, aktivitetet e Maqedonisë së Veriut si kryesuese e radhës do të udhëhiqen nga respektimi i përpiktë i parimeve të OSBE-së”, tha ministri Osmani.

Sipas tij, mbrojtja e vlerave të OSBE-së dhe respektimi i ligjit ndërkombëtar duhet të jetë prioritet i përbashkët. “Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Rindërtimi i besimit dhe formimi i dialogut kuptimplotë kërkon përputhje të plotë me parimet e OSBE-së mbi të cilat është rënë dakord. Të gjithë duhet të jemi përgjegjës për sjelljet tona”, tha Osmani.