Ligji i feve në Mal të Zi shkaktoi pakënaqësi në radhët e kishës Serbe Ortodokse

Ligji i ri garanton lirinë e plotë të besimit për të gjithë besimtarët dhe pozitë të barabartë për të gjitha Bashkësitë fetare në Mal të Zi, si dhe Lirinë e plotë të bindjeve për të gjithë ata qytetarë të cilët nuk janë besimtarë.

Prej sot hyn në fuqi ligji për lirinë e besimit dhe bindjeve fetare dhe të pozitës juridike të bashkësive fetare në Mal të Zi, i cili para dhe pas miratimit në Kuvendin e Malit të Zi, ka shkaktuar pakënaqësi të Kishës Ortodokse Serbe dhe partive opozitare. Pra, prej sot nuk vlen më Ligji i deritashëm për pozitën juridike të Bashkësive fetare nga viti 1977. Ligji i ri garanton lirinë e plotë të besimit për të gjithë besimtarët dhe pozitë të barabartë për të gjitha Bashkësitë fetare në Mal të Zi, si dhe Lirinë e plotë të bindjeve për të gjithë ata qytetarë të cilët nuk janë besimtarë. Sipas këtij ligji është rregulluar që të gjitha objektet fetare, të cilat paraqesin trashëgimi kulturore, e të cilat ishin pasuri shtetërore e Malit të Zi para humbjes së shtetësisë me 1918, e të cilat më vonë në mënyrë gjegjëse juridike nuk kanë kaluar në pronë të ndonjë bashkësie fetare, do të njihen si pasuri shtetërore. Mirëpo, nëse ndonjëra nga Bashkësitë fetare disponon me fakte se në bazë të dikurshme apo të sotme të rregulloreve të vlefshme është bërë pronare e ndonjë pasurie, shteti do ta pranojë dhe do ta respektojë atë.

 Beogradi përkrah Kishën Serbe Ortodokse

Kisha Ortodokse serbe në Mal të Zi edhe këtë radhë pati përkrahjen e zyrtareve në Beograd, presidentit Vuçiq dhe ministrit te jashtëm Ivica Daçiq. Duke akuzuar autoritetet e Podgoricës se me miratimin e ligjit të feve Podgorica synon te përvetësoj pronat e kishës ortodokse. Pre e sulmeve ishte  ambasada e Malit të Zi në Beograd. Një pjesë e flamurit të Malit të Zi është dëmtuar nga flakët, ndërkohë që stafi ka bërë ndërrimin e menjëhershëm.“Mali i Zi po përballet edhe një herë me sfidën e mbrojtjes së pavarësisë dhe lirisë”, u shpreh kryeministri malazez, Dushko Markoviq, duke paralajmëruar se do të mbrojë vendin  nga aktorë të  brendshëm dhe të jashtëm që kërkojnë destabilizim. Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq ka vlerësuar se raporti i pushtetit të Serbisë ndaj sulmit jo civilizues në ambasadën e Malit të Zi dhe flamurit në Beograd është shumë shqetësues. Markoviq ka thënë se Mali i Zi është edhe një herë para sfidës së mbrojtjes së pavarësisë dhe lirisë. “Do ta ruajmë Malin e Zi  edhe përkundër urrejtjes së madhe nga aktorët e njëjtë brenda dhe jashtë kufijve të tij”. Tifozët e basketbollit të Cërvena Zvezdës, kanë protestuar para ambasadës së Malit të Zi në Beograd dhe kanë djegur flamurin malazez me fishekzjarrë.

Mitropolititi i kishës ortodokse malazeze Mihaillo- Mali i Zi do të dal fitues me ligjin e feve

Mali i Zi nga kontesti me Kishën Ortodokse Serbe, për shkak të Ligjit për lirinë dhe bindjeve fetare dhe pozitës juridike të bashkësive fetare, do të dalë si fitues, deklaroi për gazetën “Pobjeda”, Mitropoliti i Kishës Ortodokse Malazeze, Mihaillo,duke shtuar se shteti e mbron të vërtetën historike, traditën, popullin e vet, qytetarët, Kishën historike Autoqefale Malazeze, por edhe vetveten. Mali i Zi, thekson Mitropoliti Mihaillo, si edhe shekuj më parë do të dalë fituese në mbrojtjen e vet të drejtë, me çgjë mbron lirinë e vet dhe mbijetesën e kërcënuar. “Presim se Ligji për lirinë e besimit do të sjellë zgjidhjen e drejtë përfundimtare të çështjes për Kishën Ortodokse Malazeze”, tha Mihaillo. Ai paralajmëroi se Kisha Ortodokse Malazeze së shpejti do të hap shkollën e mesme fetare në Cetinë, raportonTRT.

Raportoi se Policia e Kosovës është gati ta ndihmojë Malin e Zi, arrestohet gazetarja malazeze

Redaktorja e portalit  “Fos Media” në Mal të Zi, Anxhela Gjikanoviq, është arrestuar nën dyshimin se ka përhapur panik me lajmin se 250 pjesëtarë të Policisë Speciale të Kosovës i janë vënë në dispozicion autoriteteve malazeze për intervenim, me rastin e Natës së Krishtlindjeve Ortodokse. Sipas raportimeve, policia ka thënë se me lajmin që 250 pjesëtarë të policisë së Kosovës  janë në dispozicion të autoriteteve të sigurisë në Mal të Zi për ditën e tubimit në Podgoricë, për organizimin e planifikuar,  ka “nxitur panik duke dhënë lajme të rreme”. Autoritetet malazeze kanë thënë se “gjithçka në tekstin e këtij lajmi ishte gënjeshtër absolute dhe përpjekje për përhapjen e dezinformatave, që për qëllim kishte përhapjen e panikut”. Ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës demanton fuqishëm shpifjen e publikuar nga FOS Media dhe disa portale tjera lokale në Mal të Zi, në lidhje me gjoja ‘disponueshmërinë’ e Forcave Speciale të Policisë së Republikës së Kosovës (ROSU) për intervenim në territorin e Republikës së Malit të Zi, me rastin e Natës së Krishtlindjeve Ortodokse. Republika e Kosovës respekton sovranitetin e Republikës së Malit të Zi dhe vë në pah se në bazë të ligjeve në fuqi dhe Kushtetutës, përgjegjësitë e Policisë së Kosoves kufizohen në kuadër të territorit të Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës konsideron se informacionet e falsifikuara dhe dashakëqija nuk i shërbejnë paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon, si dhe u bën thirrje qarqeve të këtilla të rishikojnë qëndrimet e dëmshme që i shërbejnë tensionimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, ndëretnike dhe ndërfetare”, thuhej në reagim të MPJ-së së Kosovës.