Në orët e mbrëmjes Kuvendi miratoi në parim Projektbuxhetin për vitin 2025. Me 75 vota pro dhe 40 kundër, dokumenti më i rëndësishëm financiar për vitin që vjen, do të jetë në procedurë për t’u diskutuar nen për nen. Votimi përmbylli një seancë maratonë ku nuk kanë munguar debatet dhe përplasjet e ashpra mes palëve politike.
Në nisje të seancës maratonë në ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama paraqiti shifrat kryesore dhe njoftoi se bonusi për pensionistët me pension deri në 20 mijë lekë, do të trefishohet duke arritur në 150 euro, ndërsa për ata që kanë një pension mujor mbi 20 mijë lekë, do të dyfishohet duke shkuar në masën 100 euro. Rama njëkohësisht njoftoi çeljen e një fondi pranë Bankës së Shqipërisë që do të përdoret për bonusin e pranverës së pensionistëve.
Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi se projektbuxheti për vitin 2025 materializon plotësisht objektivat kryesore të politikës fiskale, përmes një balance primare pozitive, reduktimit të borxhit publik, duke targetuar për vitin 2025 një nivel të borxhit prej 55.8% të PBB dhe një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, duke realizuar një balancë korente pozitive prej 3.6% të PBB-së.
Buxheti për vitin 2025 përmbush dy objektiva themelorë, rritje ekonomike të qëndrueshme, duke krijuar punësim, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe konsolidim fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e të gjitha parametrave makroekonomikë e fiskalë në nivele pozitive. Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB dhe krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet Buxhetore, në projektbuxhetin e vitit 2025 janë parashikuar në nivelin 822.7 miliardë lekë me një rritje në vlerë absolute prej 51.4 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2024.