Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë publik “draft-vizionin” e Qeverisë lidhur me atë se si duhet të jetë e rregulluar çështja e jetesës së komunitetit serb në Kosovë, transmeton Anadolu.
Në letrën e publikuar në rrjetet sociale nga kryeministri Kurti përmendet që ky organizëm duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, letrën e ish-ndërmjetëses Federica Mogherini dhe qëndrimet e SHBA-së.
Sipas dokumentit të bërë publik nga kryeministri kosovar, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet “të burojë nga autorizimet e konventave të Këshillit të Evropës, përkatësisht Konventa Kornizë; Të ofrojë mundësinë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë të promovojnë dhe mbrojnë interesat e tyre përmes një kornize të vetëmenaxhimit”.
Po ashtu, draft-vizioni i palës kosovare parasheh që Asociacioni duhet “të nxisë një projekt joterritorial, ku të gjithë serbët në Kosovë do të përfaqësoheshin funksionalisht (duke u mbështetur në të drejtën e votës dhe parimet e parapara me Kushtetutë të Kosovës) në përputhje me parimin e barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimin”.
“Do të sigurojë kanal të drejtpërdrejtë të komunikimit me Qeverinë e Kosovës, ndër të tjera, përmes pjesëmarrjeve në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve; Do të ofrojë mundësinë që të financohet nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, organizata ndërkombëtare, institucionet e vendeve të treta dhe donacionet, përfshirë edhe nga Serbia, të cilat të gjitha duhet të kalohen përmes procedurave dhe rregulloreve të Ministrisë së Financave të Kosovës; Do ta parashohë mundësinë për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet, duke përfshirë komunat, për qëllimet e mbështetjes së punës dhe misionit të tij për anëtarët e tij”, thuhet ndër të tjera në vizionin e palës kosovare mbi Asociacionin.
Po ashtu, Asociacioni sipas draft-vizionit të publikuar nga kryeministri Kurti duhet t’i njohë plotësisht karakteristikat kushtetuese të Republikës së Kosovës, sikurse respektimi i pavarësisë, sistemi unitar institucional, integriteti territorial i Republikës dhe të kontribuojë në realizimin e plotë të saj në praktikë.
Sa i përket ligjeve, ai duhet t’i “shfrytëzojë ligjet aktuale për të ofruar mundësi për të ushtruar shërbime të caktuara jofitimprurëse, duke themeluar asociacione në fushën e kulturës, artit, shkencës dhe edukimit si dhe asociacione studimi dhe të tjera për shprehjen, ushqyerjen dhe zhvillimin e identitetit serb”.
“Do ta parashohë procedurën për t’u regjistruar me organin përgjegjës të Qeverisë së Kosovës për administrimin dhe procedurat e përgjithshme për përputhshmëri me ligjet në fuqi të Kosovës; Do të sigurojë dhe promovojë respektin për pluralizmin politik, të drejtën e fjalës, lirinë e asociimit dhe të drejtën për ta mbrojtur lirshëm identitetin politik dhe fetar të serbëve në Kosovë”, thuhet në dokument.
Në fund, draft-vizioni thekson se “mbrojtja e minoriteteve kombëtare është kusht themelor për paqe” dhe se projekti në fjalë “duhet të personifikojë vendosmërinë e përbashkët të Kosovës dhe Serbisë që të mbeten të sinqerta dhe të angazhuara për të siguruar që komunitetet e tyre përkatëse joshumicë plotësojnë të njëjtat standarde për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, standarde që i kanë të përbashkëta shoqëritë demokratike dhe të bashkuara, e të cilat askënd nuk e lënë prapa”.
Publikimi i këtij “draft-vizioni” nga ana e kryeministrit Kurti erdhi disa orë pas takimit të tij të 2 majit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ku menjëherë pas takimit Kurti bëri të ditur se ka kundërshtuar një draft-statut të prezantuar nga Ekipi Menaxhues për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kurti tha se e dëgjuan me durim dhe vëmendje Ekipin Menaxhues i cili prezantoi një draft-statut me 67 nene dhe më pas dhanë vlerësim se një statut i tillë që e lexuan dhe dëgjuan “është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës, kushtetushmërinë, demokracinë, vlerat evropiane, të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”.
– Autoritetet kosovare liruan nga detyra Ekipin Menaxhues
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi ka njoftuar mëngjesin e sotëm se ka liruar nga detyra Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave më shumicë serbe në Kosovë i cili më 2 maj prezantoi draft-statusin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Bruksel.
“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statusit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status”, ka shkruar ministri Krasniqi në rrjetet sociale.
“Andaj, sot me datë 3 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujiqiq, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq”, ka shkruar ministri Krasniqi.
Vendimi i parë nga ana e Qeverisë së Kosovës për themelimin e Ekipit Menaxhues ishte marrë në qershor të vitit 2013, derisa vendimi i dytë ishte marrë në qershorin e vitit 2016, kurse i treti në shtator të vitit 2020.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq në takimin e së martës në Bruksel nënshkruan Deklaratën për Personat e Zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, e cila synon zbardhjen e fatit edhe të mbi 1.600 të zhdukurve, diskutuan për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës.