Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është ende i pavendosur nëse do të shkojë në Bruksel për takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë kësaj jave.
Kurti tha se fillimisht do të presë të dhënat për gjendjen e tre policëve të rrëmbyer që po mbahen peng në Serbi. Ai bëri të ditur se nesër shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari do t’i vizitojë tre policët në qendrën e paraburgimit në Kralevë.
“Unë kam kërkuar takimin për javën që shkoi, mirëpo më është thënë se njëherë duhet të de-eskalohet gjendja, por më pas kishim rrëmbimin e tre policëve tanë në Leposaviç. Eskalimi u shtua dhe vetëm më pas unë u ftova për një takim të radhës për në Bruksel, që nuk jam i sigurt nëse është menduar për datën 22 apo 23 qershor për shkak të mesazheve të ndryshme. Sido që të jetë, unë fillimisht dua të pres vizitën e ambasadorit Jetish Jashari, në burg në Kralevë dhe vetëm më pas kur t’i kem të dhënat e tre policëve tanë që po mbahen peng dhe rob, si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, do të marrë vendimin dhe do të jap njoftimin për këtë…Vizita është menduar me sa kam informacion për ditën e nesërme dhe unë do të jem në kontakt me ambasadorin tonë për gjendjen e këtyre tre policëve tanë që po mbahen peng në Serbi”, tha ai.
Kreu i qeverisë së Kosovës zënvizoi nevojën për sundim të ligjit në veri, si parakusht për zvogëlimin gradual të numrit të policëve atje.
“Për shkak se ka ekstremist të dhunshëm dhe grupe kriminale duhet të ketë polici të Kosovës në këto ndërtesa. Unë kam ofruar që Republika e Kosovës, gradualisht, proporcionalisht të zvogëlojë numrin e policëve, por me sundimin e ligjit që bënë të përballen me drejtësinë ata kriminel që sulmuan ushtarët e NATO-s, policët e Kosovës dhe juve gazetarët. Kjo është ajo çka ne kemi propozuar, ndërkaq për Policinë e Kosovës çdo komunë e Kosovës është e njëjtë dhe veprimet dhe funksionimi operativ bëhet vetëm duke u bazuar në kushtetutshmërinë e Republikës, ligjin në fuqi dhe procedurat e tyre të brendshme”, shtoi Kurti.
Këto komente, Kurti i bëri pasi mori pjesë në shënimin e 70 vjetorit të themelimit të Institutit të Albanologjisë në Kosovë.