Kukësi harron të fitojë, Partizani i shkakton disfatën e parë në shtëpinë e re dhe shijon Europën

Kukësi ka dalë me kokën poshtë nga impianti “Kukës Arena” teksa verilindorët u mposhtën nga Partizani me rezultatin 1-2.

Kjo ishte edhe disfata e parë në shtëpinë e re, teksa ende nuk kanë fituar para publikut të tyre pasi në ndeshjen e inaugurimit nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola ndaj Laçit.
Fraksioni i pari foli i gjithi për Partizanin me të kuqtë që u shfaqën dominues ndaj Kukësit. Sinjalin e parë të besuarit e trajnerit Dritan Mehmeti e dhanë që në minutën e tretë kur Stenio Junior iu mohua goli nga traversa, ndërsa vetëm një minutë më pas, verilindorët u kundërpërgjigjen me një goditje pa shënjestër nga distanca e Pablo De Lucas.

Sakaq, vrulli i Partizanit “dërgoi” në gabim edhe Gjelbërim Taipin me Skukën që iu drejtua i vetëm portës kuksiane, kaloi edhe portierin Xhika ndërsa në fund goditja e tij nuk pati forcën e duhur dhe u ndal nga Jorgo Pëllumbi.

Gjithsesi, dominimi i të kuqve u shpërblye në minutën e 26-të kur këtë herë Stenio Junior mposhti Xhikën në një goditje me kokë pas harkimit të Carës. Sulmuesi i të kuqve pati fatin edhe të hyjë në histori si lojtari i parë që shënon gol në impiantin e ri të verilindorëve, “Kukës Arena”.

Një minutën më pas, sërish fati nuk ishte në anën e Partizanit pasi Skuka u ndal nga shtylla. Por, festa e dytë për kryeqytetasit ishte rezervuar për minutën e 40-të teksa këtë herë Skuka shërbeu në zonë për Stenio Junior dhe braziliani nuk fali por dyfishoi shifrat.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërkohë në fraksionin e dytë, verilindorët kishin një “marsh” më shumë për të ndryshuar fatet e ndeshjes. Dhe, goli erdhi në minutën e 52-të me anë të Luka Milunovic i cili shënoi me portën e boshatisur teksa më parë nga shtylla ishte ndalur tentativa e Edi Basa.

Në të 63-tën, Feijao i rrëmben topin Markut në zonë, pason për Milunovic por në fund serbi ndalet nga Belica. Ndërkaq, Stenio Junior shpërdoron një rast flagrant teksa përfitoi pas një mosmarrëveshje të Lulajt dhe De Luca. Braziliani provoi të ndëshkonte Xhikën me një parabël, por portieri e kuptoi idenë dhe e ndali topin në kohë.

Në vazhdim, Kukësi krijoi edhe një mundësi me Bahtirin ndërsa Partizani administroi mirë minutat e mbetura. Në minutën e 91-të, Partizani mbeti me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Maguette i cili u ndëshkua nga arbitri Hamiti pas një gjesti antisportiv ndaj Lulajt ndërsa ndëshkimit nuk i shpëtoi edhe De Lucas i cili ndërhyri ashpër ndaj Carës.

Pas kësaj ndeshje verilindorët mbërrijnë në shtatë fitore radhazi pa fitore me të kuqtë që tashmë ruajnë vendin e tretë dhe fitojnë duelin direkt ndaj Kukësit ndërsa tashmë kanë edhe një distancë sigurie prej tre pikësh ndaj skuadrës së trajnerit Diego Longo në vendin e katërt, që rrezikon ta humbasë edhe atë në varësi të rezultatit të Vllaznisë. Kështu, Partizani i trajnerit Dritan Mehmeti ruan formën dhe pas fitores me Dinamon koleksionojnë triumfin e dytë radhazi./Super Sport