Kryqi i Kuq i Malit të Zi mblodhi mbi 42 mijë euro për viktimat e tërmetit në Shqipëri

Kryqi i Kuq rikujtoi se pas tërmetit në vendin fqinj, u aktivizua xhirollogaria e posaçme dhe tha se janë të kënaqur me përgjigjen e qytetarëve

Kryqi i Kuq i Malit të Zi deri më tani ka mbledhur 42.522 euro për viktimat e tërmetit në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryqi i Kuq rikujtoi se pas tërmetit në vendin fqinj, u aktivizua xhirollogaria e posaçme dhe tha se janë të kënaqur me përgjigjen e qytetarëve.

“Fondet e mbledhura do t’i përcillen Kryqit të Kuq të Shqipërisë, i cili ka qenë aktiv që nga fillimi në ofrimin e ndihmës së parë, mbështetje psiko-sociale dhe shpërndarjen e ndihmës emergjente për popullatën e cenueshme, dhe është vazhdimisht i pranishëm në terren”, theksoi Kryqi i Kuq.

Më tej theksohet se Kryqi i Kuq i Malit të Zi është në kontakt të vazhdueshëm me Kryqin e Kuq të Shqipërisë, si dhe fokusi i veçantë në ofrimin e ndihmës së të pësuarve do të jetë vendosja, mjetet për jetesë dhe nevojat themelore, shëndeti, uji, mjetet sanitare dhe higjienike, si dhe ulja e rrezikut nga fatkeqësia.

“Hapja e xhirollogarisë ishte mënyra më e mirë për të ndihmuar në këtë situatë, meqë burimet financiare do të jenë më të nevojshme për rehabilitimin afatgjatë të efekteve të tërmetit. Nëse ka nevojë për forma të tjera të ndihmës, organizata jonë është e gatshme të përgjigjet, në përputhje me kapacitetin e saj”, theksuan në Kryqin e Kuq të Malit të Zi.

Tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor përveçse shkaktoi 51 të vdekur dhe qindra të plagosur shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulture, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.