Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë vizitoi Shkodrën

 

Mustafa Şentop, Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë së bashku me një delegacion zyrtar që e shoqëron zhvilloi këto ditë vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

Në kuadër të kësaj vizite Şentop vizitoi edhe Shkodrën. Në Shkodër Kryeparlamentari turk vizitoi medresenë “Haxhi Sheh Shamia” të Shkodrës, e cila administrohet nga shoqata “Istanbul” me mbështetjen e fondacionit Aziz Mahmud Hudayi në Stamboll.

Şentop dhe delegacioni shoqërues u pritën në ambjentet e medresesë nga drejtori i shkodhës z.Kujtim Dervishi dhe kryetari i shoqatës “Istanbul z.Ridvan Seferaj.

Seferaj i uroi mirëseardhjen dhe falenderoi z. Şentop per praninë e tij në medresenë më të madhe të Ballkanit, e cila sipas Seferajt është në këto nivele edhe falë mbështetjes së pakufizuar të institucioneve dhe bamirësve nga Turqia.

“Shqipëria dhe Turqia historikisht kanë dhënë dhe kanë marrë nga njëra tjetra. Është një miqësi që nuk njeh kufij. Kontributet e shtetit mik Turk për Shkodrën dhe Shqipërinë kanë qenë e vazhdojnë të jenë të shumta dhe të pakushtëzuara, ashtu siç dinë të kontribuojnë vëllezërit” – theksoi Seferaj.

Ndërsa Z. Şentop mjaft i kënaqur me pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore u shpreh se këtu në medrese ndihem si në shtëpinë time, pasi edhe unë dikur kam mbaruar  medresenë ashtu si dhe Presidenti i Turqisë Z. Recep Tayyip Erdoğan ka qenë medresist.

“Jemi të gëzuar tek sa shikojmë lartësimin e flamurit të miqësisë dhe vëllazërisë me Shqipërinë me të cilën kemi lidhje të thella historike” – u shpreh  Şentop.

Morën pjesë në ceremoninë e pritjes përfaqësues nga fondacioni Aziz Mahmud Hudayi me qendër në Stamboll, kryetarja e bashkisë Shkodër znj. Voltana Ademi, prefektja e Shkodrës znj. Majlinda Angoni, Myftiu i Zonës shkodër Imam Muhamed Sytari dhe të ftuar nderi.

Për nder të kësaj vizite nxënësit e medresesë dhanë një program të shkurtër festiv.

Şentop vizitoi Institutin “Yunus Emre” dhe vendosi kurorë pranë memorialit të kryekomandatit Hasan Riza Pasha, i cili në krye të forcave osmane – shqiptare mbrojti Shkodrën.

Në shkodër Şentop kreu edhe faljen e xhumasë në xhaminë Ebu Bekër të qytetit.