Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë prezanton botimet për fëmijë në gjuhën shqipe

Nën kujdesin e Zyrës së Këshilltarit të Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, u prezantuan botimet e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet), kryesisht për fëmijë të përkthyera në gjuhën shqipe.

Shpërndarja e librave për fëmijët që frekuentojnë këtë xhami është bërë shkas që Këshilltari, Bekir Yanılmaz të japë detaje edhe për librat si dhe për punën që zyra e tij bën në Shqipëri.

“Ne këtu jemi për të ruajtur vazhdimësinë e marrëdhënieve shqiptaro-turke, edhe si zyrë jemi për këtë qëllim. Ne si zyrë kemi sjellë nga Turqia edhe disa punonjës fetarë të cilët shërbejnë nëpër xhami në Shqipëri. Duke sjellë mësues fetarë nga Turqia, ne si zyrë kemi marrë edhe një iniciativë për të përkthyer botimet e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë nga turqishtja në shqipe, në mënyrë që këto botime fetare t’i shërbejnë popullit shqiptar”, theksoi Yanılmaz.

Duke folur për rëndësinë që ka mësimi i Kuranit nga fëmijët, Yanılmaz tha: “Fillimisht Kuranin duhet ta mësojmë për vete, por edhe për t’ua mësuar të tjerëve. Por mbi të gjitha, qëllimi kryesor që ne duhet të mësojmë Kuranin është për të marrë shpërblimin nga Allahu. Ne e mësojmë Kuranin për ta falënderuar Allahun për mirësitë që na ka dhënë.”

Ja disa nga botimet që kjo zyrë ka sjellë për lexuesin shqiptar:

1- Njohuri themelore të fesë islame (Besimi-Adhurimi-Morali-Sijeri) – Seyfettin Yazıcı

2- Hz. Muhammedi dhe mesazhi i tij universal – İbrahim Sarıçam

3- Besimi im – Adhurimi im – Pejgamberi im – Morali im (seri – 4 libra)

4- Mësoj fenë time – Mësoj librin tim – Mësoj duatë e mia

5- Mësoj të lexoj Kur’an – Osman Egin

6- Tregimet e pejgamberëve per nivelin parashkollor (seri – 10 libra)

7- Makalat – Haxhi Bektash Veliu

8- Tefsiri i fjalës bismil-lah – Haxhi Bektash Veliu

9- Kohët e namazeve për Ballkanin 2012-2013-2014-2015-2016-2017-2018-2019-2020

Zyra gjithashtu jep kontributin e saj edhe në fusha të tjera, si ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës, (Xhamia e Namazgjasë), shpërndarjen e ndihmave ushqimore për familjet në nevojë, prerjen e kurbaneve, etj.