Janë arrestuar tre autorë të dyshuar për disa vjedhje të kryera gjatë tetorit, të tre banues në Vlorë.
Si rezultat i operacionit “Trekëndëshi” u vunë në pranga shtetasit M. K., 20 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje me armë dhe me dhunë, në një argjendari në Vlorë, i cili në momentin e arrestimit kishte me vete, një sasi lënde narkotike kokainë, një G. V., 19 vjeç dhe një 16-vjeçar.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin më datë 12 tetor kanë vjedhur një shumë parash dhe celularë, në një servis për këto pajisje, në Ballsh. Më datë 13 tetor kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit A. Y., në fshatin Varibob. Më datë 31 tetor, kanë vjedhur një shumë parash, në një dyqan në Ballsh. Më datë 31 tetor, kanë vjedhur një shumë parash dhe disa kamera sigurie, në një biznes në fshatin Cakran.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.