Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar Greqinë, në kuadër të hapjes së ekspozitës me pikturat dhe vepra të tjera artistike të tij, ndërkohë ka realizuar edhe takime pune me zyrtarë të lartë grekë, raporton Anadolu.
Rama është takuar me presidenten e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, homologun e tij, Kyriakos Mitsotakis, kryeparlamentarin grek, Constantine Tassoulas dhe kryediplomatin grek, Nikos Dendias.
Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ku të pranishëm ishin edhe Mitsotakis dhe Dendias, Rama theksoi se arti i tij është abstrakt dhe është mjaft demokratik, sipas tij “në kuptimin që i lejon gjithsecilit të mendojë e të shohë gjithë çfarë dëshiron”.
“Jam shumë mirënjohës për këtë pritje të mahnitshme dhe për këtë ngjarje kaq të veçantë. Nuk është ekspozita ime e parë artistike, por është e para herë që vizitoj një vend si kryeministër dhe në çantë nuk mbaj vetëm shënimet, por edhe artin tim”, u shpreh Rama.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, gjatë fjalës në ceremoninë e hapjes së ekspozitës tha se Shqipërinë e shikojnë si një mike të afërt, duke shtuar se “shpresoj, së shpejti, si pjesë e familjes sonë të përbashkët evropiane”.
Gjatë vizitës, Rama do të takohet edhe me përfaqësues të biznesit.