Shërbimi Inteligjent i SHBA-së nuk e lejoi kryebashkiakun musliman që t’i bashkohej presidentit Joe Biden në një ngjarje vjetore në Shtëpinë e Bardhë të hënën me rastin e festimit të Fitër Bajramit, transmeton Anadolu.
Në një njoftim, dega e Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR-NJ) në New Jersey dënoi “profilin e perceptuar nga Shërbimi Inteligjent ndaj kryebashkiakut musliman më jetëgjatë të bashkisë Prospect Park të New Jersey, Mohamed T. Khairullah dhe revokimit të ftesës së tij për festën e Bajramit në Shtëpinë e Bardhë”.
Sipas CAIR-NJ, Khairullah u informua nga Shtëpia e Bardhë pak para se ai të merrte pjesë në festë se nuk ishte autorizuar të hynte nga Shërbimi Inteligjent.
“Tërësisht është e papranueshme dhe fyese që një udhëheqësi të respektuar musliman t’i refuzohet ftesa në festën e Bajramit në Shtëpinë e Bardhë vetëm disa orë përpara fillimit”, tha në një deklaratë drejtori ekzekutiv i CAIR-NJ, Selaedin Maksut.
Maksut kritikoi mungesën e transparencës dhe ndërhyrjen e tepruar të qeverisë rreth incidentit. “Ne i bëjmë thirrje Shtëpisë së Bardhë që të anashkalojë Shërbimin Inteligjent dhe t’ia dërgojë ftesën kryetarit të bashkisë dhe t’i kërkojë falje kryetarit të bashkisë”, tha Maksut.
Sipas “The Washington Post”, zëdhënësi i Shërbimit Inteligjent, Anthony Guglielmi konfirmoi se Khairullah-ut iu mohua hyrja në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.
“Megjithëse na vjen keq për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar, kryebashkiaku nuk u lejua të hynte në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë”, tha Guglielmi për “Washington Post” në një deklaratë.
“Fatkeqësisht, ne nuk mund të komentojmë më tej rreth mjeteve dhe metodave specifike mbrojtëse që përdorim për të kryer operacionet tona të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë”, shtoi ai.