Kroacia dhe Maqedonia e Veriut bojkotojnë ceremoninë e Nobelit

Handke bashkon Ballkanin, ceremonia e Nobelit bojkotohet edhe nga Kroacia e Maqedonia e Veriut

Vendimi i Akademisë Suedeze të Nobelit për t’ia dhënë çmimin Nobel në Letërsi shkrimtarit austriak Peter Handke, i cili njihet si një përkrahës i presidentit serb, Sllobodan Millosheviç gjatë viteve ’90, u shoqërua me reagime të shumta nga pothuajse të gjitha shtetet e Ballkanit.

Përveç Kosovës, Shqipërisë, Turqisë dhe Kroacisë, së fundmi edhe Maqedonia e Veriut dhe Afganistani kanë vendosur të bojkotojnë ceremoninë e Nobelit për shkrimtarin Peter Handke, raporton EuroNews.

Sipas këtyre shteteve, arsyeja e bojkotimit të këtij eventi është dhënia e çmimit Nobel për shkrimtarin Handke, i cili ka përkrahur politikat gjenocidale të presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, gjatë viteve ‘90.

Më 10 tetor shkrimtarët Olga Tokarczuk dhe Peter Handke u shpallën fitues të çmimit Nobel, por nderimi i austriakut Handke u prit me kritika për shkak të deklaratave të tij radikale të përkrahjes së regjimit të Millosheviçit dhe mohimit të masakrës së Srebenicës.

Bombardimin e Serbisë nga NATO ai e ka përshkruar si krim lufte, deklaratë që është kritikuar masivisht. Në sqarimin e saj zyrtar lidhur me rastin, Akademia Suedeze ka thënë se Handke është vlerësuar për vlerat e tij letrare dhe jo pikëpamjet e tij politike.