Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi sot se lia e majmunit (mpox) nuk paraqet më emergjencë shëndetësore globale, raporton Anadolu.
“Dje, komiteti i urgjencës për linë e majmunit u mblodh dhe më rekomandoi që epidemia e lisë së majmunit në shumë vende të mos paraqesë më emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”, tha kreu i OBSH-së Tedros Ghebreyesus në një konferencë shtypi, duke shtuar se ai e ka pranuar këtë këshillë.
Ai, megjithatë, tha se kjo nuk do të thotë se ky virus ka mbaruar si kërcënim global për shëndetin. Sëmundja “vazhdon të paraqesë sfida të rëndësishme të shëndetit publik që kanë nevojë për një përgjigje të fortë, proaktive dhe të qëndrueshme”, paralajmëroi Ghebreyesus.
“Ndërsa mirëpresim trendin në rënie të rasteve të lisë së majmunit globalisht, virusi vazhdon të prekë komunitetet në të gjitha rajonet, përfshirë në Afrikë, ku transmetimi ende nuk është kuptuar mirë”, tha ai.
“Rastet e lidhura me udhëtimet në të gjitha rajonet nxjerrin në pah kërcënimin e vazhdueshëm. Ekziston një rrezik i veçantë për njerëzit që jetojnë me infeksion HIV të patrajtuar”, shtoi Ghebreyesus.
Kreu i OBSH-së tha se megjithëse urgjencat e lisë së majmunit dhe COVID-19 kanë mbaruar, “çdo ditë OBSH-ja vazhdon t’u përgjigjet mbi 50 urgjencave”.
Lia e majmunit transmetohet te njerëzit përmes kontaktit të ngushtë me një person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin. Sipas OBSH-së, pacientët shpesh fillojnë të shfaqin simptoma me ethe, nyje limfatike të zgjeruara, dhimbje shpine dhe dhimbje muskulore përpara se të shfaqet një skuqje në lëkurë.
Sipas OBSH-së, 87.377 raste të sëmundjes virale dhe 140 vdekje janë raportuar që nga janari 2022 në mbarë botën.