Kosovë, Thaçi thërret Kuvendin për të formuar qeverinë e re

Kosova po i afrohet lindjes së qeverisë së re, teksa Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po zhbllokojnë procesin e ngrirë prej disa ditësh të negociatave mes tyre.

Kosova po i afrohet lindjes së qeverisë së re, teksa Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po zhbllokojnë procesin e ngrirë prej disa ditësh të negociatave mes tyre.

Pasditen e djeshme mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës është zhvilluar një takim i cili për herë të parë dha sinjalet se palët mund të jenë duke i zgjidhur problemet.

Palët deklaruan se tashmë takimet do të jenë të përditshme, ç’ka lë të kuptohet se mund të jetë arritur dakordësia në parim dhe të jetë mbërritur në teknikalitetet e marrveshjes.

Më herët, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti kishte deklaruar se në mungesë të marrëveshjes, vendi shkonte sërish në zgjedhje, raporton EuroNews.

Nga ana tjetër presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka caktuar datën 24 dhjetor për mbajtjen e mbledhjes së parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit.

Për herë të parë pas zgjedhjeve, presidenti mbledh deputetët në seancë parlamentare.

Zyra e Presidentit, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bën të ditur se duke marrë parasysh Njoftimin e datës 27 nëntor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, sot është nxjerrë Vendimi për thirrjen e Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet më datë 24 dhjetor 2019, në orën 9:00.